Partia Socialiste paraqiti një draft-rezolutë që sipas saj, do të angazhojë në reformimin institucional për të luftuar korrupsionin në funksion të shtetbërjes europiane të Shqipërisë.
Këtë iniciativë të shumicës qeverisëse e bëri publike kryeministri Edi Rama në mbledhjen me Grupin Parlamentar dhe Qeverinë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Për të adresuar të vërtetat në këtë rast ato që nuk na pëlqejnë në lidhje me praninë ende shqetësuese të korrupsionit me domosdoshmërinë e forcimit të sundimit të ligjit, si dhe me nevojën e rritjes së standarteve të mirëqeverisjes, ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një dallge të re reformimi institucional me përfshirjen e të treja pushteteve të pavarura Kushtetuese të kësaj Republike. Kjo është edhe një domosdoshmëri që buron nga dokumenti i diagnozës së Komisionit Europian për Shqipërinë.
Për të adresuar këtë përpjekje, kryeministri sheh të domosdoshme përfshirjen e opozitës, për këtë arsye u drejtoi një thirrje publike.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne nuk iu ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni ju, me gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte. Një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike, ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune të përbashkët me aleatët tanë strategjikë.
Për të ndërprerë fijet lidhëse të korrupsionit dhe zyrtarëve, kreu i qeverisë njoftoi edhe ngritjen e një shoqërie publike e cila do të kryejë prokurimet e ministrive dhe institucioneve të tyre të varësisë.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqendruara, e cila e ka filluar punën zyrtarisht më 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet e ministrive dhe të institucioneve të tyre të varfërisë, pra e thënë troç asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë së tij nuk do të ketë më asnjë lidhje me tendera, por do të merret vetëm me politikat sektoriale.
Klan News