Partia Demokratike akuzon mazhorancën për përdorim të administratës për qëllime elektorale. Në mbledhjen e grupit parlamentar, Sali Berisha deklaroi se kryebashkiakë dhe punonjës të ministrive po bëjnë fushatën e Partisë Socialiste në terren.
“Krimin shtetëror elektoral e kryeson lubi Balluku, ka hapur zyrat në të gjithë Myzeqenë, punonjësit e ministrisë të cilët ngulen aty si terroristë elektoralë. Kryetarët e bashkive nga Saranda gjer në Kukës janë shpërndarë si terroristë elektoralë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjin”, tha Sali Berisha.
Me argumentin e mbrojtjes së votës dhe intimidimit të qytetarëve nga qeveria, Berisha u kërkoi deputetëve dhe strukturave të partisë që të mobilizohen për protestën e 8 Shkurtit.
“Përdorimi i shtetit elektoral për të dhunuar votat e shqiptarëve është një thirrje e brendshme për demokratët. Edi Rama s’mund të grabisë dot kurrë këto zgjedhje, po në qoftë se ai shpalosë shtetin elektoral dhe ne shpalosim të gjithë zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral”, tha Berisha.
Teksa përgatitet për takimin që do të zhvillojë më 9 Shkurt me qytetarët shqiptarë në Romë, Berisha thotë se diaspora , pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar regjistrimin e tyre për zgjedhjet e 11 majit, e ka refuzuar Partinë Socialiste.
“I përshëndes dhe i përgëzoj, emigracionin i cili refuzon masivisht aq sa nuk janë në gjendje të filmojnë takimet e tyre sepse janë të dështuara që të gjithë”, tha Berisha.
Në vijim të përgatitjeve për zgjedhjet e majit, PD ka nisur fazat e para të primareve, të cilat do të prodhojnë kandidatët për deputet, por deri më tani ende nuk është e qartë nëse gara mes demokratëve do të zhvillohet në nivel dege, qarku apo kombëtar.
Klan News