Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në Partinë Socialiste është hapur debati për procedurat e reja që do të ndiqen për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e Qershorit. Do të jetë Komiteti i Përgjithshëm Drejtues apo Kongresi, që do të votojë listën e kandidatëve. Sipas statutit, 25 zona elektorale i përkasin përzgjedhjes nga kryesia, ndërsa 75 zona i përkasin Komiteteve të Përgjithshme Drejtuese nëpër rrethe.
Sekretari i grupit parlamentar socialist Hamdi Jupe, shprehet se e drejta e përzgjedhjes së kandidatëve socialist i përket Komitetit të Përgjithshëm Drejtues.
Hamdi Jupe:- “Komiteti i Përgjithshëm Drejtues është forumi i lartë i partisë para Kongresit. Me sa di propozimet do të vijnë nga baza dhe do të shqyrtohen në komitet”.
Sekretarja për marrëdhënieve me jashtë Arta Dade, thekson se 1/3 e kandidaturave duhet të jenë gra socialiste, ndërsa nga shoqëria civile duhet të përzgjidhen njerëz të votuar.
Arta Dade:- “Grupi parlamentar do edhe njerëz të ngritur profesionalisht, përsa kohë jemi të grupuar në bazë komisionesh edhe të specifikuara, ne duhet të kemi parasysh edhe një përfaqësim edhe të profesioneve të ndryshme”.
Gjithsesi kriteret dhe procedurat për kandidatët socialist do të përcaktohen në fund të këtij muaji. Ndërsa për emrat konkret do të ndiqen procedurat e zgjedhjeve lokale, me konkurrimin mes tre kandidatësh për çdo zonë elektorale./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame