Socialistët mbledhin këtë të diel Kongresin Zgjedhor, në fokus të të cilit do të jenë jo vetëm punët e partisë, por edhe sfidat dhe arritjet e qeverisë.
Mësohet se forumi më i lartë drejtues i Partisë Socialiste do jetë i ndarë në tre sesione, ku në pjesën e parë, atë të Mirëqeverisjes, ministrat e kabinetit “Rama 3” do të paraqesin arritjet e deritanishme.
Pjesa e dytë do t’i kushtohet luftës kundër korrupsionit, ku pritet të flasin Ministrja e Shtetit për Administratën Adea Pirdeni dhe Fatmir Xhafaj, të cilit Edi Rama i ka besuar kryesimin e Komisionit Antikorrupsion.
Pjesa e tretë do të fokusohet tek punët e brendshme të partisë. Gjatë këtij sesioni do të flasin Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, Ministrja për Parlamentin Spiropali dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, të cilët do të përqendrohen tek rienergjizimi dhe anëtarësimet e reja në parti.
Gjithashtu gjatë këtij sesioni do të prezantohet edhe platforma “Deputeti që duam” përmes së cilës do të merret mendimi i anëtarësisë për të zgjedhurit aktualë, por edhe ku mund të aplikojnë ata që aspirojnë të bëhen deputetë në legjislaturën e ardhshme.
Në fund të këtij sesioni do të flasë kryeministri Edi Rama, i cili pritet të fokusohet në tre objektivat e qeverisë; turizmi, antikorrupsioni dhe mirëqeverisja.
Me mbarimin e fjalës së kryeministrit, pritet të nisë edhe votimi i Asamblesë së re.
Delegatët e Partisë Socialiste do të votojnë për 156 anëtarë të Asamblesë, nga 350 që ka ky forum. Kjo pasi rreth gjysma e tyre zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që mbajnë në nivel qendror dhe atë lokal.
Klan News