Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste, i cili është mbledhur sot në qytetin e Vlorës, i ka përfunduar punimet pas shtatë orëve. Socialistët e këtij forumi kanë miratuar një rezolutë pas analizave të drejtuesve të PS dhe drejtuesve të ekzekutivit, mbi punën tre vjeçare të qeverisë. Kështu KPD vlerësoi arritjet në ndërtimin e institucioneve pas shkatërrimit të ’97.

Forumi më i lartë socialist, kërkon nga qeveria mundësimin e zgjerimit të hapësir të veprimit politik të partisë, nëpërmjet një programi më dinamik. KPD e PS kërkon gjithashtu plotësimin e legjislacionit të shtetit të së drejtës, vënien në lëvizje të të gjithë mekanizmave të kontrollit të brendshëm të strukturave ekzekutive dhe në administratën publike.

Socialistët kanë kërkuar sot që ti jepet fund zbarritjes së problemeve të njohura të ujit, dritave dhe rrugëve. Në rezolutën e miratuar kërkohet gjithashtu dhe rritja ekonomike e vendit duke bërë me efikase politikën e kreditimit të ekonomisë, zhvillimit të biznesit të rëformës së tokës etj. Socialistët sot kanë zhvilluar debate të ashpra përsa i përketë zbatimit të papajtushmërisë së dy mandateve.

Mësohet se kryetari Nano ka shprehur keqardhjen që sipas tij kërkojnë të mbajnë dy mandate pikërisht ata që nuk dinë të bëjnë asnjërën. Drejtues të lartë të PS kanë kërkuar që ministrat të cilët sulmohen nga opozita të mos presin ti mbroj partia, por të dalin dhe të mbrojnë veten dhe partinë e tyre. Kritika të ashpra janë hedhur në drejtim të ministrave Xhuveli, Ruka e Panda.

Kryetari i PS Nano, kryeministri Meta dhe sekretari i përgjithshëm Dokle nuk kanë lënë mënjan sot dhe vlerësimin e tyre për opozitën. Nano e ka konsideruar si elementin më të vështirë të qeverisjes, faktin se partia e tij ka patur përballë një opozitë destruktive që krijon një terror psikologjik.

Përsa u përketë firmave piramidale, socialistët kanë pranuar për herë të parë se procesi i kthimit të parave të humbura është tepër i ngadaltë. Kreu demokrat ka shkelur kodin penal thanë socialistët dhe ende Berisha nuk është vënë para përgjegjësisë. Në takimin e sotëm u është bërë thirrje dhe partive të tjera të koalicionit të jenë më të përgjegjshme në qeverisje./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari