Me të njëjtën frymë bashkëpunimi si në mbledhjen e parë, tre përfaqësuesit socialistë dhe tre kolegët e tyre opozitar që përbëjnë grupin e punës për reformat, vendosën ekspertët që do t’i asistojnë për të amenduar ligjin elektoral.
Silva Caka, Viktor Gumi, Ivi Kaso dhe Eridjan Salianji u caktuan per hartimin e një plani pune për Reformën Zgjedhore. Po ashtu, ranë dakord që përmes kryetares së parlamentit t’i drejtohen organizmit ndërkombëtar si OSBE dhe ODIHR për të dhënë kontributin e tyre në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Pas mbledhjes, i vetmi qe foli për mediat ishte përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, i cili rreshtoi disa nga propozimet që do të kërkojnë në këtë tryezë të re dialogu me shumicën.
Më e rëndësishme për ta është dhënia fund e shitblerjes së votës, që për demokratët arritën duke vendosur sanksione të reja, edhe pse ligji aktual i ka, por sipas Bylykbashit përgjegjës për mosndëshkimet është organi i akuzës.
Oerd Bylykbashi: Na duhet që të shohim, të përmirësojmë, të forcojmë, të specifikojmë dhe ndëshkimin penal në lidhje me krimet zgjedhore.
Demokratët kërkojnë të shkohet jo vetëm drejt listave krejtësisht të hapura, por dhe që votimi nga ana e zgjedhësve të jetë i detyrueshëm.
Oerd Bylykbashi: Ne duhet të shkojmë në praktikën që ka Belgjika, Australia që kanë futur votimin e detyrueshëm pikërisht për këtë. Duhet ta bëjmë më të thjeshtë të drejtën e votës për zgjedhësit që janë jashtë Shqipërisë. Listat e hapura janë një detyrim kushtetues dhe zgjidhja duhet të bëhet në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare.
Të gjitha propozimet e opozitës të çojnë drejt ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe Bylykbashi se mohon se demokratët e synojnë një hap të tillë.
Dakordësia për ndryshimet kushtetuese e arritur në Qershor të 2020 me ndërmjetësimin e ambasadës amerikane, por që nuk u implememtua mot e mot në ligjin elektoral për shkak të prishjes së marrëveshjes, është ajo që kërkojnë të arrijne demokratët.
Tv Klan