Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Socialistët kanë propozuar ngritjen e një strukture të re ndërpartiake, që do të monitoronte zhvillimin e procedurave të zgjedhjeve parlamentare. Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, kryetari Nano, ftoi mbledhjen e tryezave politike dhe në nivel ekspertësh, mes pozitës dhe opozitës, për të nxitur më tej dialogun.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Pra ne ftojmë sërish dhe solemnisht, tryezën e partive politike, për t’u fokusuar në tre objektiva themelore. E para, t’u jepet prioritet tryezave partiake, në nivel politikanësh dhe ekspertësh, që shfrytëzojnë hapësirat që i njeh Kushtetuta dhe kodi zgjedhor, për të propozuar zgjidhje ligjore, që e bëjnë procesin të pranueshëm për të gjithë. E dyta, të zhvillojmë së bashku dialogun dhe vullnetin politik. E treta, të biem dakord madje, për të ngritur një strukturë monitoruese ndërpartiake, që do të ndjekë angazhimet politike të secilës palë, deri në përfundim të procesit zgjedhor”.
Përsa i përket marrëdhënieve në koalicion, Nano tha, se kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, janë të njëvlershme edhe për aleatët. Në datat 1-15 Prill, do të zhvillohen mbledhjet e konferencave të PS nëpër rrethe, ku do të përzgjidhen nga tre kandidatë për çdo zonë elektorale./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame