Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Fondacioni publik gjerman “Fridrih Ebert” dhe Partia Socialiste kanë organizuar sot seminarin me temë “Përmirësimi funksional dhe stabilizimi i sistemit politik përmes institucioneve”. Në këtë takim ku ishin të ftuar pjesëmarrës nga shoqëria civile, kryeministri Meta ka folur për raportet e shtetit me individin dhe opozitën. Kryetari i PS Fatos Nano e ka konsideruar seminarin si proces reformimi të PS. Ai ka kostatuar se Aleanca për Shtetin ka ndërtuar shtet ndërsa nuk ka humbur pushtetin.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Në mënyrë figurative llogaria për kazanin i kërkohet çdo ditë kryeministrit dhe përfqësuesve të vullnetit shtetëror në ekranët e televizorëve madje dhe askush nuk kujtohet se për këtë shërbim, për shërbimin e kazanëve taksat i janë paguar bashkisë”.
Nano ka nënvizuar se PS është një parti e cila nga teoritë e Kongresit të ’96, kaloi në debate të hapura reformimi në Kongresin e Tetorit të vitit të kaluar.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Jam i bindur që edhe kryeministrit Meta sot i duhet të ballafaqohet personalisht madje me opinione dhe njerëz, qysh nga taksapaguesi më i ndershëm deri tek më hileqari që kërkon llogari në emër të votës”.
Kryetari Nano duke u shprehur se hapja me shoqërinë civile është e domosdoshme ka vërejtur se dhe shoqëria civile duhet të strukturohet në partneritet me shtetin. Në këtë kontekst Ministri i Kulturës Edi Rama vërejti se shoqëria civile para tre vitesh arriti të instrumentalizojë vetëmbrojtjen, ndërsa tani tha Rama ajo është e aftë të jetojë e zhvillohet./tvklan.al
Gazetare – Mimoza Picari