Tashmë është zyrtare. Partia Socialiste i dha fund bojkotit të gjatë parlamentar dhe pasditen e të enjtes deputetët e saj do të jenë në Kuvend për të bërë betimin.
Nuk është thashethemnaje, por një vendim i bërë publik nga vetë Edi Rama, në një mbledhje që zhvilloi me grupin parlamentar socialist në selinë rozë, në një fjalim afro 15 minuta të gjatë, të cilin mund ta kishte mbajtur edhe 8 muaj më parë, me 29 Qershor.
Edi Rama: “Ne nesër do ti japim një shans zgjidhjes së krizës përmes Parlamentit dhe një shenjë të qartë të vullnetit tonë konstruktiv të gjitha palëve. Me mandatin e popullit opozitar deputetët e PS-s do të udhëheqin hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral, ose nëse në Parlament nuk ka veshë për të drejtën tonë deputetët do të jenë në krye të protestave pa ndalim për të çliruar zgjedhjet. Nesër ne do të jemi në Parlament, jo për ta ndërprerë betejën për kutitë, por për ta çuar përpara këtë betejë, që nuk e kemi parë për asnjë çast si luftë palësh ose përpjekje në interes të të gjitha palëve. Nuk shkojmë në Parlament për të dal, por as për të ndenjur pa u hapur kutitë.”
Ndërprerja e bojkotit vjen pas një presioni të fortë e të vazhdueshëm të të gjithë institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare dhe të deputetëve socialistë të grupuar në “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe”. Vjen vetëm 1 ditë pas qëndrimit të qartë dhe të prerë të Delegacionit të Nivelit të Lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se bojkoti duhet të marrë fund. Vjen vetëm një javë para skadimit të afateve kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve socialistë dhe vetëm pak muaj para vendimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për shqiptarët.
Ndërprerja e bojkotit i jep fund ngërçit politik, po jo problemeve në Partinë Socialiste.
Burime brenda grupit parlamentar të selisë rozë bëjnë me dije se deputetët e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” i kanë kërkuar Edi Ramës, menjëherë pas fjalimit, që të japë dorëheqjen nga kreu i partisë, jo vetëm sepse humbi zgjedhjet, por sepse humbi edhe betejën me bojkotin./tvklan.al