Lajme Arkiva – TV Klan 2000

30 deputetë socialistë, nuk i kanë paraqitur në komisionin parlamentar të verifikimit të pasurive, deklaratat për burimet e tyre financiare, në formë pasurie. Kryetari Malaj, ka dhënë ultimatumin, që brenda dy javëve, të gjithë deputetët socialistë të plotësojnë deklaratat e pasurisë, në të kundërt mbi ta do të veprojë statuti i partisë, si dhe gjobat e rënda të ligjit.

Kjo masë për deklarimin e pasurisë ndërmerret nga socialistët përball akuzave për korrupsion nga opozita dhe lideri demokrat Berisha. Socialistët janë në fazën e përgatitjes së listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare, ndaj pritet që edhe në mbledhjen e nesërme të KPD, të kritikojnë ata që nuk u angazhuan sa duhet në fushatë.

Komiteti i Përgjithshëm Drejtues socialist, pritet të rishikojë, marrëdhëniet me aleatët e vegjël në koalicionin qeveritar, sidomos me socialdemokratët, të cilët në Vlorë dhe në Vorë, bojkotuan mbledhjet e këshillave bashkiak. Acarimi i marrëdhënieve me aleatët, do të ndikojë në ndryshimet e reja në kabinetin Meta, ndryshime për të cilat ka qëndrime pro dhe kundër brenda partisë më të madhe në pushtet./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame