Asambleja e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar vendimin e marrë në kryesinë e ditës së martë për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 Nëntorit.
Fjalën e hapjes e vetmja pjesë ku mediat kishin akses për të qenë prezente, kryesocialisti ka ripërsëritur qëndrimin për të vijuar në rrugën e bojkotit parlamentar dhe protestave popullore që do të përshkallëzohen, nëse mazhoranca nuk pranon hapjen e kutive të 28 Qershorit.
Edi Rama: “Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të kushtëzojmë marrëdhëniet me parlamentin e vendit dhe të dalim në rrugën e protestave popullore. Fati i kësaj beteje është në zemrat tona, fati i kësaj beteje varet nga kurajo e jonë për të luftuar për lirinë e votës dhe barazinë para ligjit dhe nga vendosmëria jonë për të mos u tërhequr, përpara çfarëdo presioni, diversioni dhe padrejtësie që na bëjnë në këtë rrugë, ku përfaqësojmë një aspiratë shumë më të madhe se ne vetë, shumë më të madhe se PS-ja. Një aspiratë që është aspirata e një populli të tërë për lirinë dhe drejtësinë që mishërohen tek vota e lirë.”
Ashtu sikurse në të gjitha mbledhjet e forumeve të Partisë Socialiste pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, edhe mbledhja e radhës se asamblesë kombëtare është karakterizuar nga debate të ashpra.
Një pjesë e anëtarëve të asamblesë në fjalimet e tyre kanë akuzuar kryesocialistin për vendime krejtësisht subjektive dhe të gabuara të cilat po e çojnë sipas tyre në rrënim partinë më të madhe të opozitës.
Për Ben Blushin mospjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lokale lëkund të gjithë besimin e elektoratit socialist.
Ben Blushi: “Jam kundër vendimit për të mos marr pjesë në zgjedhjet e pjesshme, në 5 bashki dhe komuna sepse besoj që është demotivues dhe i paarsyetuar, sepse besoj që po i falim 5 njësi vendore qeverisë duke mos marrë pjesë, sepse besoj Partia Socialiste po zhvillon një ndjenjë inferioriteti, po i thotë shqiptarëve dhe atyre që e votojnë që për sa kohë që Sali Berisha është në pushtet, ne nuk vijmë dot në pushtet dhe jemi të paaftë të mbrojmë votat tona qoftë edhe një regjim të ashpër si ky që kemi. PS po tërhiqet nga të gjithë pozicionet e saj, nga parlamenti, nga pushteti lokal. Rrezikon në këtë rrugë të bojkotojë dhe zgjedhje e ardhshme lokale, në rast se siç ka gjasa për fat të keq, kutitë nuk do hapen dhe për të njëjtat arsye PS mund të mos hyjë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo do të thotë që partia del krejtësisht jashtë sistemi. ”
Ylli Manjani një tjetër anëtarë i Asamblesë Kombëtare Socialiste në fjalën e tij, ka kritikuar ashpër qëndrimin që Partia Socialiste po mban në lidhje me marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare.
Ylli Manjani: “Ajo marrëveshje sipas të gjitha gjasave është një marrëveshje e tipit politik dhe për pasojë instrumenti reagues duhet të ishte politik jo juridik. Qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të na justifikojë pse e bëri këtë marrëveshje, ky është thelbi i gjësë, sepse ishte dhe një alternativë që të mos e bënin këtë marrëveshje ose nëse e kanë bërë ose sado e vërtetë të jetë ajo çfarë përfituam ne nga kjo marrëveshje. Në këtë kuptim çështja e diskutimit për marrëveshjen është politike sepse vajtja në gjykatë kushtetuese e ka bërë PS-në si zyrë avokatie të problemeve të gjithçkaje në këtë vend dhe tek e cila gjykatë do vemi tek fundit, po flasim për gjykata që tashmë i shërbejnë pushtetit. Çfarë ndodh në qoftë se gjykata bie fjala e konfirmon ligjshmërinë e kësaj marrëveshje, do të thotë që PS-ja dorëzohet pa kushte. ”
Asambleja socialiste ka miratuar dhe ngritjen e 2 grupeve të punës që do të bëjnë ndryshimet e propozuara për programin politik dhe statutin e Partisë Socialiste, grupe ku është vënë re mungesa e zgjedhjes së emrave të cilët njihen si oponentët e kryetarit të selisë rozë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka