Disa raporte të reja janë publikuar së fundmi rreth mënyrës se si koronavirusi i ri ndikon në mushkëri dhe më pas mund të shpërndahet në organe të tjera si në zemër, veshka dhe mëlçi.

Që prej fillimit të pandemisë, kërkuesit janë përpjekur të kuptojnë se pse virusi ndikon në disa grupe organesh dhe jo në disa të tjera. Së fundmi në Spanjë është sugjeruar se disa proteina në mushkëri shërbejnë si aktivizuesit primarë të sëmundjes.

Një ekip i ngritur nga Universiteti i Zaragozës dhe një fondacion në Aragonesa zbuloi se proteinat në mushkëri shkaktohen nga virusi dhe kjo bën që proteinat në organet e tjera të aktivizohen duke i bërë më të prekshme nga infeksioni.

Virusi përdor një proteinë në pjesën e jashtme të qelizave i quajtur ACE2 për të hyrë dhe për të infektuar qelizën. Sapo hyn brenda qelizës, proteina e infektuar ndërvepron me të tjerat në trup çka shkakton efekte të lehta ose të rënda.

Sidoqoftë jo çdo organ që ka sasi të madhe ACE2 preket nga virusi. Kjo për shkencëtarët do të thotë që ka mënyra të ndryshme transmetimi të virusit. Për studimin, shkencëtarët studiuan se si proteinat e përhapura në mushkëri ndërveprojnë me proteinat në organet e tjera jetësore.

Profesori Ernesto Estrada shpjegoi se kur virusi preku mushkërinë, shkaktoi një efekt zinxhir edhe në proteinat e organeve të tjera. Megjithatë këto ndryshime ndodhin në disa organe si zemra dhe veshkat e jo në të tjera si stomaku./tvklan.al