Teknologjia, por dhe faktorë të tjerë socialë i kanë bërë fëmijët që në një moshë megjithëse të vogël të kenë stres, ankth apo gjendje të rënduar emocionale.
Psikologia Lorela Garuli, e ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan shprehet se prindërit duhet t’u japin hapësirë fëmijëve të tyre të shprehin emocionet. Por, nga ana tjetër duhet të punojnë për edukimin dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të tyre, duke iu vendosur dhe limite për sjelljet e agravuara nga zemërimi.
Lorela Garuli, psikologe: Emocionet më të vështira që kanë prindërit për t’u përballur janë ankthi, zemërimi dhe frustrimi i fëmijës sepse kulturalisht po t’i hyjmë pak edhe etiologjisë së zemërimit ose të agresivitetit, ne kemi një raport të caktuar si kulturë me shfaqjen e zemërimit, ndonjëherë të papërshtatshëm. Zemërimi është një emocion si gjithë të tjerët dhe fëmijët jo vetëm duhen lënë që ta shprehin, por duhet të edukohen edhe me inteligjencën emocionale. Që 2 ose 3 vjeç, kur fëmija ka nevojë të edukohet për mënyrën se si emërtohet emocioni i tij. Kulturalisht ne e kemi pak të vështirë, sepse prindërit sot kur kanë qenë fëmijë vetë nuk i ka ndihmuar njeri që ta bëjnë këtë gjë dhe kjo është shumë e kuptueshme, por fatmirësisht tani ka burime të tjera informacioni, ka psikologë, ka punonjës socialë, ka mjekë, pediatër dhe media na ndihmon shumë që ta përhapim këtë. Pra e para është emërtimi i emocioneve, e dyta vendosja e limiteve, është në rregull që fëmija të ndjehet në një mënyrë të caktuar, por jo të veprojë në një mënyrë të caktuar.
Pyetja që ngrihet dhe që shqetëson prindërit, është se si këta të fundit duhet të sillen në raport me emocionet e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Për këtë psikologia shprehet se prindërit nuk duhet të shfaqen të stresuar gjatë kohës që qëndrojnë me fëmijët e tyre, pasi kjo ka një ndikim në shëndetin e tyre psikologjik.
Lorela Garuli, psikologe: Është sa e thjeshtë, po aq edhe e vështirë. Në radhë të parë do të duhet që vetë të rriturit që rrinë dhe edukojnë fëmijë, merren me ta dhe përcjellin mesazhe dhe që kalojnë kohë me ata, të mos jenë shumë të stresuar. Stresi dhe ankthi janë në ajër, nëse në shtëpi dikush është i stresuar apo ka një moment ankthi, një element paniku, ose një gjendje të rënduar, pasqyrohet. Dhe dalim tek ajo, që nuk ka rëndësi shumë se çfarë thua, si ia thua fëmijës, por ti vetë çfarë bën. Nëse fëmija shikon që vetë prindi ka një ditë të vështirë, është i zemëruar apo ndjehet keq, por di ta shprehë këtë në një mënyrë të shëndetshme, fëmija do ta kuptojë këtë që ankthi dhe stresi qenka pjesë integrale e jetës. Dua të them që përcjellja apo mos përcjellja e stresit është një punë e madhe. Për të prindëruar pa stres dhe pa ankth mjafton që të jesh vetë pa stres dhe pa ankth. Kështu që ne themi se duhet trajtuar, shëruar dhe gjithsecili duhet të punojë me veten, pastaj të bëhet prind./tvklan.al