Fitorja e Postës dhe Telekomit të Kosovës në tenderin për operator të katërt në Shqipëri do të ulë tarifat e komunikimit mes dy vendeve. Çmimet ndërmjet operatorit të katërt mobil në Shqipëri dhe Valës në Kosovë do të jenë të njëjta me ato ndërmjet Valës brenda Kosovës.

Fatmir Limaj: “Si në Tiranë si në Prishtinë do të jetë si me fol brenda përbrenda qytetit, ky është dhe qëllimi pse ne jemi atje.”

Në fund të kësaj jave, ministria e transporteve të Shqipërisë i dha zyrtarisht licencën e katërt celulare PTK-së. Ministri Limaj futjen e PTK-së në tregun shqiptar e quan edhe një simbol të komunikimeve të lira ndërmjet dy vendeve.

Fatmir Limaj: “Futja e Postës së Kosovës tregon që dyert e tregut shqiptar dhe dyert e tregut të Kosovës, janë të hapura për kompanitë shqiptare dhe kosovare për të gjetur bashkëpunimin e ngushtë.”

Në anën tjetër zyrtarë të PTK-së janë shprehur të gatshëm të kryejnë të gjitha obligimet si dhe së shpejti d të mundësohet komunikimi mes Kosovës e Shqipërisë me tarifa të njëjta, si brenda Kosovës. Në tenderin për celularin e katërt u paraqitën 2 oferta, ajo e Postës së Kosovës kap vlerën prej 7.2 milion eurove dhe ishte oferta më e lartë e paraqitur./tvklan.al