Puberteti i hershëm po bëhet gjithnjë dhe më tepër një problem shqetësues, këtë e argumentojnë dhe studimet e fundit shkencore. Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan mjekja neuro-pediatre Migena Kika foli për pubertetin e parakohshëm dhe ndryshimet që sjell tek vajzat dhe djemtë.

Migena Kika: Puberteti i parakohshëm do të thotë fillimi i maturimit seksual përpara kohës së pritur. Normalisht kjo moshë është jo më përpara se 10 vjeç tek vajzat dhe jo më përpara se 11 vjeç tek djemtë, mesatarja mund të jetë rreth moshës 12 ose 13 vjeç, ardhja e menstruacionit të parë. Pubertet të parakohshëm do të quajmë ato raste kur fillon maturimi seksual, përpara moshës 8 vjeç tek vajzat dhe përpara moshës 9 vjeç tek djemtë. Në fillimet e pubertetit të parakohshëm të dyja sekset, si djemtë dhe vajzat, fillojnë që të zhvillohen shumë nga ana fizike. Problematika është që studimet kanë evidentuar, se kanë një zhvillim të vrullshëm fizik dhe në vitet e mëvonshme krahasuar me pjesën tjetër të vajzave dhe djemve kemi një lloj ndalimi.

Gjatë fjalës së saj mjekja apeloi për problematikat që kanë evidentuar studimet për sa i përket pubertetit të parakohshëm. Sipas saj puberteti i parakohshëm veçanërisht tek vajzat shoqërohet më vonë me rreziqe të shtuara për sa i përket riprodhimit, fertilitetit dhe krijimin e masave tumorale apo kancerogjene.

Migena Kika: Është evidentuar që këto vitet e fundit është e vështirë për këto vajza, të cilat fillojnë pubertetin e parakohshëm të instalohet një cikël i rregullt, do më shumë kohë që menstruacionet të bëhen të rregullta. Ky është një problem tjetër madhor. Menstruacioni është një shenjë vitale madhore në organizmin e çdo femre, e çdo vajze, që do të thotë nëse kemi një cikël menstrual, që shfaqet në kohë dhe është i rregullt tregon që organizmi jo vetëm që funksionon mirë nga ana e karakteristikave seksuale dhe aktivitetit riprodhues, por njëkohësisht nga ana fiziologjike është në rregull dhe funksionon në rregull. Këto vajza që kishin menstruacionet e para herët dhe kanë një vështirësi për t’u instaluar menstruacioni në mënyrë të rregullt, u pa që kanë rrezikun më vonë të zhvillojnë problematika kryesisht kardiovaskulare dhe patologji onkologjike, pra tumore të llojeve të ndryshme. Njëkohësisht këto vajza që kanë vështirësi të kenë një cikël të rregullt në pubertetin e parakohshëm kanë problematika me riprodhimin, me fertilitetin apo për të ngelur shtatzënë dhe sigurisht që kanë pastaj problematika me peshën apo me çrregullime të tjera fiziologjike. Kanë rrezik për sëmundshmëri të shtuar për gjatë jetës së tyre, kryesisht për sa u përket patologjive kardiovaskulare dhe atyre onkologjike./tvklan.al