Këtë të martë paneli i të ftuarave në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan folën për atë që studimet ndërkombëtare në fushën e mjekësisë e kanë cilësuar si “sëmundje e kohës së lirë”.
Rreth kësaj mjekja Migena Kika tregoi simptomat, arsyet dhe rastet kur prekemi më shumë. Marrë shkas nga kjo një qytetare telefonoi e shqetësuar për të treguar simptomat fizike që i ndodhnin kur udhëtonte.
Telefonuesja: Mua shpesh më ndodh që më hipën temperatura. Kam ndonjë siklet, ndonjë udhëtim dhe më shkon temperatura 38 e gjysmë ose 39. Më hipin ethe. E shikoj që ndikohem nga këto simptoma.
Katerina Trungu: Ky është rasti që thashë unë, që është pak serioz. Nuk është thjesht dhimbje koke, është temperaturë.
Telefonuesja: Temperaturë, nuk e kuptoj një ditë më mban dhe më bie.
Katerina Trungu: Po pse e merr kaq me stres ti këtë udhëtimin?
Telefonuesja: Nuk e kam në dorë këtë. Jam meraklie dua ta bëj çdo gjë në përsosmëri, të mos harroj asnjë gjë. Dhe i vuaj këto. Por, më shkon një herë në muaj ose një herë në dy muaj. Nuk e kuptoj nga se më vjen. Mos kam ndonjë sëmundje?!
Gjatë bisedës me telefonuesen mjekja Migena Kika, tha se simptomat e saj përputhen me ato të “gjendjes së kohës së lirë”. Megjithatë sa u përket problemeve organike mjekja sugjeroi që të mos shmangen vizitat në spital me mjekët specialistë.
Migena Kika: Problemet organike duhen përjashtuar, por me çfarë thotë zonja mendoj që është në atë se çfarë folëm deri tani. Pra bëhet fjalë pikërisht për “gjendjen e kohës së lirë” që ne diskutuam./tvklan.al