Studimet e fundit në fushën e mjekësisë dhe psikologjisë e kanë quajtur lodhjen e individëve përgjatë pushimeve si një “sëmundja e kohës së lirë”. E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan neuropediatria Migena Kika sqaroi publikun se çfarë është kjo gjendje.

“Është një lloj gjendje gjatë të cilit një individ e ka të vështirë të qetësohet, të relaksohet apo të shijojë ditët e pushimit. Por, shoqërohet në pjesën më të madhe të rasteve nga individët të cilët “vuajnë” nga sëmundja e pushimit. Ka dhe simptoma fizike, pra shoqërohet me shenja fizike. Individi përjeton një lloj sëmundshmërie me simptoma jo shumë specifike që nuk lidhen me një lloj problematike apo çrregullimi të caktuar. Është në fakt një terminologji, “sëmundja e kohës së lirë”, një term që është përshkruar për herë të parë këto vitet e fundit, në 2021 nga dy psikologë holandezë të cilët e përdorën si terminologji për herë të parë dhe po shikohet që gjithnjë e më shumë persona po e identifikojnë. Pra e kanë këtë lloj problematike. Zakonisht ndodh në fundjavë, në ato ditë ku pjesa më e madhe e individëve e kanë pushim, pra e shtuna dhe e diela. Ndodh dukshëm dhe me shenja më të forta gjatë periudhës së pushimeve verore apo dimërore. Por, janë parë raste që dhe persona të cilët dalin në pension të kenë problematika të tilla”, tha mjekja.

Më tej Migena Kika tregoi disa prej simptomave që shkakton kjo gjendje gjatë periudhave të pushimit në fundjavë, apo dhe pushimeve verore e ato dimërore. Jo vetëm gjendje e ngarkuar psikologjike, por mjekja tregon se kjo “sëmundje” shkakton dhe efekte në gjendjen fizike, si dhimbje koke, ethe apo të vjella.

“Një pjesë e individëve e kanë të vështirë të kalojnë nga njëra fazë në një fazë tjetër. Nga një fazë gjatë së cilët kanë një javë intensive, një periudhë intensive dhe përnjëherë kalojnë në këto ditët e pushimit ku trupi duhet të marrë komandën për të pushuar, të lirohet, të çlirohet dhe të jetë e qetë. Individët në këto ditë kanë problematika dhe në vend që të qetësohen kanë dhimbje koke, marrje mendsh, të vjella dhe simptoma”, shtoi mjekja.

Sa i përket arsyeve kryesore që shkaktojnë këtë gjendje mjekja veçon disbalancën mes disa problematikave hormonale që ndodhin në secilin nga individët. Nga ana tjetër Migena Kika tha se një faktor tjetër është dhe përditshmëria, rutina apo fakti i të qenit në punë përgjatë javës. Siç shprehet vetë ajo “varësia nga puna”./tvklan.al