Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka shkaktuar reagime paraqitja qe iu bë zhvillimit të demokracisë në Shqipëri, nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, parlamentit dhe zyrës së OSBE-së gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Helsinkit të SHBA.

Gjatë dy ditëve të fundit gazeta “Zëri i Popullit” dhe Ministria e Rendit me anë të një deklarate kanë sulmuar kryetarin e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe drejtuesin e lëvizjes Mjaft. Kjo vjen pas kritikave që ata i bënë qeverisë shqiptare dhe pasi folën për nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Po çfarë mendojnë disa nga publicistët më të njohur lidhur me këtë çështje.

Ardian Klosi: “Mendoj që kanë bërë mjaft mirë që kanë folur për problemet tona, për plagët tona më të mëdha, megjithëse sikur nuk pash dhe ato gjera për të cilën janë bërë dhe protesta më të mëdha në vendin tonë dhe ato skandale që kanë qenë, po ç’të themi, skandali i plehrave psh. ose korrupsioni i qeveritarëve tanë fare konkretisht, me gënjeshtrat, me deklaratat e rreme që bënë lidhur me çështjen e pasurive. Por një gjë duhet ta theksojë, them se duhet të heqim dorë së pari Amerikën, qoftë edh enjë shtet tjetër të fuqishëm, si arbitrin e madh, drejtorin e shkollës, merreni si të doni. Çështjet ziejnë në Shqipëri dhe zgjidhen në radhë të parë këtu. Ministrinë e Rendit nuk e kuptojë me thënë të drejtën, në qoftë se kanë kryer ndonjë akt delekuience në Washington, ka të drejtë të ndërhyjë Ministria e Rendit, po kështu apriori nuk e kuptojë pse ka ndërhyrë, ç’punë ka Ministria e Rendit në këtë çështje. A në qoftë se ka statistika më të mira për përmirësimin e gjendjes së kriminalitetit në rregull është e drejta e tyre ta japin këtë deklaratë, kurse “Zëri i Popullit” këtë punë ka, s’ka rëndësi çfarë bënë lëvizja Mjaft, s’ka rëndësi çfarë bëjnë lëvizjet e tjera qytetare, që nuk janë pro Fatos Nanos”.

Mero Baze: “Duke dhënë vlerësimet e tyre për situatën në Shqipëri, i kanë bërë nder në një farë mënyre shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë, duke qenë të balancuar dhe të ndershëm në ato që kanë thënë. Lidhur me problemet që i ka shkaktuar vendit qeveria shqiptare. Ne nuk duhet të ngatërrojmë në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë faktin që kur kritikohet qeveria shqiptare, kritikohet Shqipëria është një koncept shumë i vjetër, shumë arkaik, identifikimi i qeverisë me shtetin dhe kombin. Guximi për t’i thënë hapur problemet që shqetësojnë vendin siç është problemi i mungesës së zgjedhjeve të lira, i korrupsionit galopant në administratën e lartë, i kapjes së shtetit nga mafia dhe përpjekjet për të kontrolluar shtypin, janë probleme që i bëjnë nder Shqipërisë, për shkak se e zgjojnë shoqërinë shqiptare, rrisin ndërgjegjen e saj, për t’i tejkaluar këto probleme”.

Blendi Fevziu: “Faktikisht Shqipëria ka 15 vjet që njerëzit e saj, ose të paktën ky regjim nuk mund t’i përcaktojë më çfarë do thonë, si duhet të thonë, çfarë duhet të flasin dhe kë duhet të takojnë kur dalin jashtë. Ata kanë qenë persona të ftuar nga Kongresi Amerikan, ata kanë qenë të ftuar mbi bazën e një statusi publik që kanë, jo si individ, ata kanë shprehur shqetësimet e shoqërisë shqiptare, që për dikë mund të jenë të ekzagjeruara, për dikë mund të jenë normale, për dikë mund të jenë madje shumë më të lehta se sa duhet të jenë normalisht, kjo është çështje opinionesh. Ata kanë shprehur një shqetësim që për mua, unë kam pasur gjithmonë bindjen që ideja e të tremburit nga bota, ideja e të ruajturit probleme midis nesh është një reflektim i mentalitetit të viteve të komunizmit dhe nuk ka të bëjë fare me kohën tonë. Përderisa në përditë publikojmë fakte, raste, ngjarje të ngjashme me ato të cilat u përcollën në Kongresin Amerikan, nuk besoj se ata nuk duhet ta bëjnë një diskutim të tillë. Unë të paktën fjalimin e zotit Veliaj e ndoqa në mënyrë integrale në internet dhe nuk më duket se ka ndonjë ekzagjerim, përkundrazi është shumë më i butë, se nga shumë editoriale që boton shtypi përditë”./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini