Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Protestë bën barku i tyre sot, zëri s’ka forcë të dalë, ushqyerja më e mirë dhe të drejta më shumë janë vetëm demagogji. Janë të destinuar të vdesin punëtorë. Pushim për ta do të thotë mungesë parash e rrallë e bëjnë një ditë të tillë. E dinë që është 1 Maj, por pas tij ka qindra të tjera që duhet të mendojnë për punë.

Punëtori: “Ne akoma jetojmë në kohën e komunizmit. Kështu që s’kemi asnjë gjë, as një të ardhme, as një send. Kjo jetë është vetëm formale. Jetë që nuk i plotësojmë dot fëmijëve tanë ato tekat e tyre”.

Gazetarja: Po pse jetojmë në komunizëm akoma?

Punëtori: “Sepse nuk po arrisim dot atë që merr Europa, që ka Europa. Kështu që Europa është shumë larg dhe ne nuk e arrijmë dot kurrë këtë gjë. Kjo është një krizë për të gjithë”.

Të vrarë në fytyrë dhe të rropatur nga mosdija, zërin nuk e ngrenë as sot, pasi kanë frikë mos e humbin atë, por dhe vendin që sapo kanë gjetur. Janë më mirë e mbahen si më të pasur se ata që presin për punë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti