Ditën e djeshme, punonjësi i Bashkisë Elbasan, 56-vjeçari me iniciale E.B. u rrëzua nga vinçi gjatë punës për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit në lagjen “5 Maji” dhe si pasojë e dëmtimeve, ndërroi jetë në spital.

Lidhur me ngjarjen, policia shpalli në kërkim përgjegjësin e sektorit të ndriçimit pranë drejtorisë së shërbimeve publike të Bashkisë Elbasan, 54-vjeçarin me iniciale M.Q.

Gjithashtu, Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Ç., 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë e Shërbimeve Publike dhe Urbane, Elbasan.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim./tvklan.al