Pas akuzave të ditëve të fundit kundrejt punonjësve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, këta të fundit kanë reaguar me një njoftim për shtyp duke deklaruar se marrëdhëniet e ish-ministrit Pango me të gjithë punonjësit e këtij dikasteri kanë qenë korrekte.
Sipas tyre arritjet e punës në të katër drejtimet që mbulon ministria, drejtuar nga Ylli Pango, kanë njohur rritje cilësore dhe sasiore, produkt i punës, seriozitetit dhe vullnetit të një stafi të përkushtuar dhe profesionist.
Ata shprehen se puna e tyre do të vazhdojë me të njëjtin ritëm si një detyrim profesional ndaj ligjeve të shtetit shqiptar.
Restaurimi i “Lidhjes së Shkrimtarëve”, rikonstruksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës, si dhe ndërtimin e shkollës së parë të restaurimit janë disa nga arritjet e punës që është kryer nga kjo ministri.
Për të vazhduar më tej me kthimin e Piramidës në qendër të madhe kulture, investimi më i madh në kulturë në 20 vitet e fundit.
Falë punës së këtij stafi të përkushtuar u organizuan një sërë aktivitetesh në fushën e letrave, arteve pamore, kinematografisë, etj.
Pranimi i qytetit të Beratit në UNESCO, restaurimet në qytetin e Gjirokastrës apo në kalatë e Tiranës, Krujës dhe Himarës, janë të tjera arritje që tregojnë volumin e madh të punës dhe profesionalizmin e stafit të ministrisë.
Ky reagim i stafit të Ministrisë së Turizmit vjen pas presionit të ditëve të fundit kundrejt tyre dhe punës së bërë gjatë viteve të fundit në ministrinë ku ata punojnë./tvklan.al