Zbulimi i vendit tonë si një ndër destinacionet më të lira për të pushuar e me bukuri natyrore ka bërë që të huajt të kërkojnë gjithmonë e më shumë të pushojnë në vendin tonë.

Operatorët turistik shprehen se europianët kryesojnë listën e prenotimeve, teksa risi e këtij viti kanë qenë edhe turet nga Brazili.

Jetmira Hoxha: Grupet që kemi pasur dhe që ne vazhdojmë të kemi janë nga Holanda, Brukseli, Rumania që kanë ardhur, francezë gjithashtu. Pjesa e plazhit është me interes më shumë, por gjithashtu edhe pjesa e historisë tonë.

Agjencitë turistike kanë nisur që tani përmbushjen e kontratave të prenotimeve për vitin 2025. Prirjet e këtij boomi turistësh drejt vendit tonë kanë tejmbushur kapacitet akomoduese, ndaj vitin e ardhshëm pritjet janë që paketat turistike të kushtojnë më shtrenjtë.

Jetmira Hoxha: Ne kemi filluar që këtë vit për kërkesat e 2025-ës dhe që të mbyllim kërkesat e 2025-ës, qoftë edhe për grupet, qoftë edhe për pushimet individuale, kështu që sa më parë që të bëhen, aq më mirë është. Besoj se vitin tjetër do të jenë paksa më shtrenjtë çmimet e paketave krahasuar me këtë vit.

Referuar shifrave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për periudhën Janar-Maj mbërritjet e turistëve të huaj në Shqipëri arritën në 3.3 milionë me një rritje prej 38% krahasuar me vitin e kaluar.

Tv Klan