Kreu i Kremlinit deklaroi se Rusia nuk ka në plan të sulmojë asnjë vend të NATO-s si Polonia apo shtete Baltike
Rusia ka deklaruar se nuk do ta sulmojë Poloninë, shtetet e Baltikut apo Republikën Çeke, por nëse Perëndimi furnizon me avionë luftarakë F-16 Ukrainën ato do të rrëzohen nga forcat ruse.
“Së pari, nëse ata furnizojnë F-16 kjo nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës. Dhe ne do ta shkatërrojmë avionët sigurisht, nëse ato përdoren nga aerodrome në vendet e treta dhe do të bëhen objektiva legjitime për ne, kudo që mund të ndodhen.”
Duke folur me pilotët e forcave ajrore ruse, Putin nuk e sqaroi termin “kudo ku ndodhen”, por kjo le të kuptohet se ato mund të goditen nga rusët edhe në hapësirat e vendeve të NATO-s, fqinje me Ukrainën, çka mund të përbënte shkak për zgjerimin e luftës ashtu siç kanë paralajmëruar shumë zyrtarë perëndimorë.
“Mundësia që ne të sulmojmë si Poloninë apo shtetet baltike është absurditet. Me këto deklarata po i trembin edhe çekët.”
Deklarata e Putinit vjen pas komenteve të bëra më herët nga Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba se avioni F-16 duhet të mbërrijë në Ukrainë në muajt e ardhshëm. Ukraina, ka kërkuar F-16 për shumë muaj. Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë ndër vendet që janë zotuar të dhurojnë F-16.
Një koalicion vendesh ka premtuar të ndihmojë në trajnimin e pilotëve ukrainas në përdorimin e tyre. Nga ana tjetër vende si Franca nuk e kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, duke thënë se nëse Rusia fiton luftën, nuk do të mjaftohet me kaq, por do ta vazhdojë edhe në Europë.
Klan News