Krizat në Siri, Ukrainë dhe gazsjellësi Nordstream 2 ishin në fokusin e takimit mes Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit rus Vladimir Putin. Shefi i Kremlinit mbërriti mbrëmjen e së shtunës në Berlin, në takimin e parë zyrtar pas 4 vitesh me Merkelin në kryeqytetin gjerman, që pas krisjes në marrëdhëniet mes dy vendeve pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Për Kancelaren gjermane Angela Merkel nevojitet dialog për të futur sa më shpejt krizën siriane në rrugën e zgjidhjes, për t’u dhënë fund vuajtjeve të luftës 7-vjeçare të popullit sirian. Por Putin tha se Rusia ka bërë të pamundurën për t’i dhënë fund konfliktit me operacionet ushtarake për grupet ekstremiste radikale, duke i hapur rrugë operacioneve humanitare në terren. Valën e madhe të emigrantëve që shkaktoi kjo krizë, Putin e quajti si tepër të rëndë për Europën. Kjo valë shkaktoi fuqizimin e radikalëve të djathtë në Gjermani dhe gjithë Europën, çka detyroi Merkelin të heqë dorë nga politika e dyerve të hapura për ta.
Për krizën e Ukrainës, dy liderët ranë dakord që së shpejti të krijohet një mision paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në rajonet lindore ku separatistët filo-rusë luftojnë me armë me forcat e Kievit.
Ndërsa për gazsjellësin Nordstream 2, që përçon gazin rus përmes detit Balltik në Gjermani, dy liderët ishin të të njejtit mendim, se projekti është krejtësisht ekonomik dhe aspak politik. Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër projektin pasi tubacioni rrit varësinë energjitike të Gjermanisë nga Rusia, kundërshtari numër 1 i NATO-s.
Tv Klan