Në prag të mbërritjes se pyetësorit, përgjigja e plotë ndaj cilit do ti garantojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, qeveria thotë se është e përgatitur për ta përmbushur shpejt dhe me sukses këtë sfidë.

Sipas ministres për Integrim Evropian, Majlinda Bregu do punohet mbi bazën e një plani pune, me afate konkrete. Janë të paktën 45 institucione të angazhuara në proces, përfshirë ministritë, institucionet e pavarura, Kuvendin si dhe agjenci publike. 

Edhe pse nuk ka një draft paraprak të pyetësorit, qeveria shqiptare di se cilat fusha do të kenë vëmendjen e posaçme të Brukselit. Thënë ndryshe aty do të fokusohet dhe numri më madh i pyetjeve që në total llogaritet të jetë tek 2000 mijë të tilla.

Majlinda Bregu: “Presim që një pjesë e madhe e pyetjeve nisur dhe nga eksperiencat e tjera të jenë në kapitullin e drejtësisë dhe të sigurisë. Sikurse një numër të madh pyetjesh që do të përkthehet në një punë reale

voluminoze dhe konkrete do të ketë pjesa ekonomike, pra e standardit ekonomik. Në para ndarjen që ne i kemi bërë në bazë të një drafti modeli pyetësori kemi identifikuar që institucionet të cilat do të jenë për përfshira me volum më të madh pune, pra me një numër më të madh pyetjesh do të jenë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave si institucione lider dhe përsa i përket pjesës së kriterit politik është ministria e drejtësisë, parlamenti shqiptar.”

Ministria Bregu tha se qeveria pret që brenda këtij viti të mund të marrë në dorë pyetësorin, logjikë që bazohet në zhvillimet më të fundit në këtë drejtim.

Një ditë më parë ambasadorët e 27 vendeve të BE dhanë mbështetjen e plotë për aplikimin e Shqipërisë duke i hapur rrugë procesit për të angazhuar pas kësaj Komisionin Evropian të përgatisë opinionin për Shqipërinë.

Vendimi për sa i takon kësaj të fundit ka shumë gjasa të ndodhë javën që vjen në mbledhjen e këshillit të ministrave të BE.

Majlinda Bregu: “Këtë dokument të rëndësishëm prej le të themi diku në 2 mijë e disa pyetje shpresojmë ta kemi brenda vitit 2009 për të qenë tërësisht në gjendje që ditën e nesërme të fillojmë punën për dhënien e përgjigjeve të këtyre pyetjeve. Koha që do të marrim do të jetë le të themi koha më e shkurtër, por duke mos cenuar cilësinë e përgjigjeve të pyetjeve. Për këtë arsye jemi përfshirë në një fazë të vrullshme përgatitore dhe para përgatitore dhe urojmë, shpresojmë se do të punojmë që avia për Shqipërinë apo opinioni i KE-së, i cili më pas i dërgohet këshillit dhe parlamentit për Shqipërinë të përmbyllet brenda vitit 2010.”

Por në gjithë këtë zhvillim, në vëmendje të Brukselit nuk ka sesi të mos jetë situata politike në Shqipëri.

Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn deklaroi një ditë më parë se bojkoti është një rrugë antidemokratike dhe se dëmton integrimin.

Majlinda Bregu: “Besoj që edhe me deklaratat e përsëritura jo vetëm së brendshmi me vullnetin e treguar nga kjo qeveri për të zgjidhur çështjet atje ku është vendi në parlament. Me të njëjtin mesazh përsëritur nga të gjithë ndërkombëtarët, anëtarët e PS ata të zgjedhur deputetë me votat e popullit do të kuptojnë, ndërgjegjësohen ndoshta njëherë e mirë që lideri i partisë së tyre jo vetëm që nuk i solli në pushtet, por iu përcolli rrezikun më të madh që nuk po i lë të bëjnë as opozitë.”

Përgjigjja e pyetësorit do të angazhojë të paktën 411 punonjës të administratës civile.

Qeveria vendosur dhe një rritje me mbi 10 % të buxhetit për Ministrinë e Integrimit për vitin 2010, ku janë parashikuar edhe pagesat për përkthyesit me një peshë po aq të rëndësishme në proces./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi