Vendimi i Këshillit të Evropës për të hetuar akuzat e Carla Del Pontes në librin e saj “Gjahu” është mirëpritur nga deputeti socialist, Qemal Minxhozi.

I zgjedhur përfaqësues i komunitetit të Matit në parlament zoti Minxhozi kërkon që ekspertët e Evropës të vijnë menjëherë dhe në vendin tonë për t’i dhënë fund një herë e mirë këtyre trillimeve të ish-kryeprokurores së tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte.

Qemal Minxhozi: “Ky vendim do të bëjë që shumë shpejt i dërguari i posaçëm i Këshillit të Evropës do të shkojë në Prishtinë dhe me këtë rast unë i bëj thirrje Këshillit të Evropës që hetimet të shtyhen dhe më tej, të vijnë dhe në Shqipëri për të parë nga afër sesi qëndron e vërteta, e cila kurrë nuk mund të baltosë një popull, nuk mund të baltosë një krahinë, qoftë dhe një individ. Carla Del Ponte kësaj radhe do të marrë mendoj përgjigjen e merituar dhe do të përballet me sanksionet e tjera.”

Del Ponte në librin e saj “Gjahu, Unë në luftë me kriminelët dhe terrorizmin” shkruan se në fshatin Gurrë të rrethit Mat në shtëpinë e Abdullah Katuçit prokurorët e Hagës gjetën prova që vërtetonin informacionet se në vitin 1999 në këtë shtëpi ishin mbajtur të burgosur 300 ushtarë serbë, të cilëve më pas u janë marrë të gjitha organet, deklarata këto të cilat u kundërshtuan ashpër nga Tirana zyrtare dhe gjithë opinioni publik./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe