Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nga vëzhgimi i bërë gjatë gjithë pasdites vihet re, se janë të shumta qendrat e votimit, që kanë pasur probleme me listat e zgjedhësve. Sipas përfaqësuesve të KZQV të Qendrës së Votimit 1714, janë të shumtë votuesit të cilët janë kthyer pas, duke mos votuar, pasi nuk kanë pasur emrin në listë. Nënkryetari i kësaj qendre pretendon, se votuesit që nuk kanë pasur emrat në listë janë demokratë.

Komisioneri i PD:- “Listat janë kështu, nuk merret vesh çfarë bëhet me listat, jo vetëm këtu, por të paktën nga interesimi që kemi bërë tek qendra tjetër e votimit, por të njëjtat fenomene dhe unë mendojë, të paktën nga ato që kemi verifikuar ne, shumica ka qenë e opozitës, sepse ne i njohim”.

Komisioneri i PS:- “I vetmi problem, që e ka ngritur dhe opozita është se ka shumë votues që nuk i ekziston emri. Ka një përplasje brenda familjes psh, voton vjehrri, s’voton nusja e djalit, ose nuk voton djali ose nipi, pra ka një përplasje të tillë. Megjithatë këto janë sporadike, janë elementë të veçantë”.

Ndërkohë vetëm pak minuta përpara hapjes së kutive të votimit, për numërimin e votave, jemi rikthyer dhe njëherë tjetër në qendrën e votimit 1921, ku nga vëzhgimi që bëmë në mëngjes vumë re polemika të ashpra mes anëtarëve të komisionit. Polemika të cilat vazhdonin dhe gjatë pasdites.

Komisioneri i PD:- “Votimi është shumë dobët në pjesëmarrje. Deri tani përqindja mund të ketë shkuar 25%, ky është kulmi. Të gjitha këto gjëra janë vetëm organizimi “i bukur” i qendrores, që na i ka sjellë ne nga Bregu i Lumit, na kanë sjellë ne 700 veta tepër”.

Komisioneri i PS:- “Ka pasur probleme, por është kryesisht për njerëz që kanë lëvizur gjendjen civile. Është gjynah vota e disa personave që mund të digjet. Megjithëse janë 600 emra që vijnë nga kjo njësi, kanë votuar 354 banorë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka