Në kulmin e debatit politik për ligjin e ri për prokurorinë ish-prokurori i përgjithshëm, Arben Rakipi, e sheh si të papërshtatshme kohën kur po hartohet dhe miratohet ky ligj.
Arben Rakipi: “Ndryshimet e sotme lënë mundësinë e interpretimit që këto lloj ndryshimesh kanë një lloj ngarkese të marrëdhënieve të paraardhësit të zonjës Rama dhe të asaj që përflitet të raportit të saj me qeverinë kështu që dyshoj që nuk është koha e përshtatshme për të bërë ndryshime të tilla”.
Për Rakipin ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ndryshon pikërisht atë për të cilën është dhe nevoja më akute, raportin e organit të akuzës me ekzekutivin.
Arben Rakipi: “Ligji nuk ka zgjidhur në atë kohë dhe nuk e zgjidh edhe sot raportin e prokurorisë me ekzekutivin. Ligji afron diçka akoma më tej me ekzekutivin. Ka kompetenca të ministrit, i cili mund të raportojë për punën e prokurorisë drejtpërdrejt pa i marrë dorën prokurorit të përgjithshëm, ka ndikim në anëtarët e tij në këshillin drejtues të prokurorisë dhe e dyta shton kompetencën e kuvendit, rolin kontrollues të kuvendit ndaj prokurorisë. Kur heq fjalët prokurori i përgjithshëm njofton kuvendin. Këtu përmendet prokurori i përgjithshëm, raporton në kuvend, dmth, një proces më detyrues për prokurorin dhe më të përgjegjshëm për kuvendin”.
Për ish-kryeprokurorin Rakipi për një ligj kaq të rëndësishëm siç është ai për funksionimin e organit të akuzës duhet debat i gjerë me specialistë dhe ekspertët më të mirë të jurisprudencës./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka