Arta Tozaj: “Në parlamentin evropian po zhvillohet takimi i 15-të ndërparlamentar me delegacionin shqiptar që kryesohet nga demokrati Ilir Rusmali. Në ditën e parë është debatuar mbi reformën zgjedhore, ndryshimet kushtetuese, lëvizjen e lirë të njerëzve si dhe problemet që kanë të bëjnë me shkurtimet në administratën publike”.

Ilir Meta: “Doja të dija nga përfaqësuesi i komisionit evropian se këto ndryshime kushtetuese ishin të konsultuara me Komisionin Evropian apo me Bashkimin Evropian pasi ata që bënë këto ndryshime u imponuan, sidomos para opinionit publik, se i bënë si rezultat i kërkesave që vinin nga Bashkimi Evropian për të ecur më shpejt për çështjen e reformave integruese dhe më duket se përgjigja është e qartë”.

Dirk Lange: “Ndryshimet kushtetuese që mazhoranca parlamentare bëri po i shohim, por komisioni evropian nuk është arbitër mes partive. Ne po i monitorojmë këto ndryshime dhe mund t’i japim asistencë teknike nëse nevojitet.”

Për sa i takon reformës zgjedhore, Dirk Lange, shefi i zyrës së komisionit evropian për zgjerimin, thotë se e rëndësishme është që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2009-tën, por nuk ka një formë të prerë ligjore të BE-së për këtë ndaj i takon qeverisë shqiptare që të gjejë se ç’ligj elektoral do të zbatojë, por që duhet të përmbushë kushtet e nevojshme.

I pyetur nëse përbën problem miratimi i ndryshimeve elektorale nga dy partitë e mëdha përballë pakënaqësisë së forcave të vogla politike, Lange thotë se e rëndësishme është që të ketë dialog mes gjithë forcave politike dhe më pas të shikohet se kush janë mazhorancat në parlament që duhet të vendosin për këtë çështje.

Udhëheqësja e takimit, Doris Pack, vlerësoi se 115 vota është shumicë e kënaqshme për të bërë ndryshime.

Përsa i takon referendumit ajo shpjegoi se mund të hapen dhe probleme të tjera duke sjellë eksperiencën e Irlandës.

Zgjedhja e presidentit ka qenë e tmerrshme dhe nuk mund të vazhdonte me frikën e krizave qeverisëse. Jam shumë e lumtur që me 115 vota ia mbyllët vetes edhe ca halle, u shpreh Pack.

Socialistja Meksi ngriti shqetësimin e zbatimit të reformave në kuadër të MSA-së dhe shkurtimin politik të administratës publike.

Ermelinda Meksi: “Bashkimi Evropian ka paguar dhe sikurse njëri nga përfaqësuesit e parlamentit evropian me shqetësim ngriti faktin që për këto raste pse jo mos t’i kërkohet shtetit shqiptar pagimi mbrapsht i asaj që ka marrë për të kualifikuar këta njerëz”.

Një tjetër shqetësim mbeten kartat e identitetit ku regjistri civil sipas Rusmalit mbyllet gjatë muajit Korrik për t’i hapur rrugë procesit tjetër.

Ilir Rusmali: “Përfundon shumë shpejt duke u negociuar dhe përfundon shumë shpejt kontrata me këtë firmë dhe menjëherë më pas ajo do të fillojë nga puna.”

Gazetarja: A ka pasur shqetësime lidhur me firmën fituese?

Ilir Rusmali: “Nuk ka pasur shqetësime. Procesi ka qenë shumë transparent”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj