Presidenti duhet të konsultohet me grupet parlamentare. Me këtë këshillë republikani Sabri Godo komenton zhvillimet më të fundit lidhur me përzgjedhjen e emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Institucionet nuk duhet t’i krijojnë barriera njëri-tjetrit, thotë Godo, që sollën si produkt rrëzimin e pesë dekreteve në kuvend.

Sabri Godo: “Ka hapësirë që presidenca si institucion të këshillohet me grupet parlamentare në mënyrë që të bihet në ujdi që më parë dhe kjo nuk cenon kurrsesi autoritetin e presidencës. Këtu tani duket sikur ka një lloj tendence herë nga parlamenti, herë nga presidenca, herë nga qeveria që secili të ngre sa më lartë muret e tij si institucion. Institucionet duhet të bashkëpunojnë”.

Një ditë më parë presidenti Topi u ka dërguar letër partive parlamentare ku u kërkojnë që të sugjerojnë po në letër kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duke përcaktuar dhe një afat, datën 30 Qershor.

Topi zgjodhi pikërisht ditën që shënoi afatin e fundit për aplikim për gjyqtar, por në listën me 105 emra figurojnë dhe pesë kandidatët e rrëzuar nga kuvendi.

Sabri Godo: “Nuk është as juridikisht, as moralisht e pranueshme që një kandidaturë që u hodh një herë poshtë nga kuvendi t’i serviret për së dyti. Unë lexova me kureshtje 100 e ca emrat që janë kandidaturë atje dhe them që në radhët e tyre atje për aq sa i njoh unë ka emra me të vërtet të shkëlqyer.”

Paralelisht me këto zhvillime kuvendi po procedon me ndryshimin e rregullores së tij, pikërisht të rrugës që duhet të ndjekin dekretet e presidentit në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese në përpjekje për mosriciklim të krizave.

Zhvillimi i seancave dëgjimore me kandidatët e propozuar është një nga pikat që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste ndajnë të njëjtin qëndrim.

 Sabri Godo: “Dmth të aplikojë të njëjtën procedurë që bën kur caktohet një ambasador. Në qoftë se shumica e gjerë parlamentare kërkon ta shtrijë këtë edhe në rastin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë ose Gjykatës Kushtetuese le të bëhet, nuk ka ndonjë gjë të keqe. Sa më mirë të jenë të informuar deputetët për njerëzit që votojnë, aq më mirë është. Do të ishte mirë, do të thosha bile e domosdoshme që ky ndryshim në rregulloren e komisionit atje të bëhet me konsensusin sa më të gjerë parlamentar”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi