Zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu, tha gjatë një deklarate publike, se media që kontrollohen nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka ndërmarrë një fushatë denigruese ndaj Tom Ridge. Ky i fundit ish-guvernatori i Pensilvanisë, ish-sekretar i parë për çështje të sigurisë pranë presidentit Bush. Bregu tha se Ridge u kontraktua nga qeveria shqiptare brenda të gjitha akteve ligjore si këshilltar i kryeministrit për çështje të sigurisë.
Majlinda Bregu: “Sekretari Ridge me eksperiencën e tij të gjatë si guvernator i njërit prej shteteve më të rëndësishëm në SHBA, sekretari i parë i SHBA për çështjet e sigurisë me këshillat, sugjerimet dhe idetë e tij të vyera të shprehura tanimë në një sërë takimesh dhe bisedash me drejtues të institucioneve dhe agjensime të ndryshme të vendit, i dha një ndihmë me mbështetjen qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi në fushën e sigurisë dhe përmirësimit të imazhit të vendit në këtë drejtim. Rama që kërkon të bind shqiptarët se Tom Ridge me veprimet e tij në Shqipëri paska përbërë rrezik që me sulmet e tij të shfrenuara tenton t’i shpall veprimet e ish-sekretarit Ridge si një kërcënim për sigurinë e vendit, dëshmon se me këto qëndrime vazhdon ison e atit të tij shpirtërore Enver Hoxha, i cili për 45 vjet ua serviri shqiptarëve SHBA-në vendin e madh të lirisë si rrezikun e tyre kryesor”.
E pyetur nga gazetarët, zëdhënësja e qeverisë tha gjithashtu se ish takuar në forumin e Krans Montanës edhe me Damir Fazlliç.
Majlinda Bregu: “Jam takuar me Damirin në Forumin e Krans Montanës, në një moment kur ai po përshëndetej bashkë me pjesëmarrës të tjerë që ishin në këtë forum dhe me mua dhe mund të them që zotin Fazlliç e njoh nga viti 2005”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Klodian Keçi