Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë Arben Xhaferri, se me ngrirjen e aktiviteti të kësaj force politike do të punonte në realizimin e idesë për krijimin e shteteve etnikisht të pastra ka bashkuar  në një qëndrim qeverinë dhe opozitën në Tiranë.

Ministri i Jashtëm ilir Meta ka pohuar mbajtjen e kontakteve me zotin Xhaferri për ta bindur se kjo nuk është mënyra e duhur për tu ardhur në ndihmë shqiptarëve të Maqedonisë. Në fakt zoti Meta është bashkuar me mendimin për ngadalësimin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por ai ka hedhur poshtë çdo mundësi për të përsëritur gjakderdhje si në Bosnje.

Ilir Meta: Do të dëshiroja që deklarata të tilla të ishin më shumë të nxituar nga qëllime taktike të momentit se sa të ishin synime strategjike, pasi mendoj se rajoni ynë nuk ka më nevojë për përsëritjen ngjarjeve të dhunshme të së kaluarës dhe njëkohësisht nuk ka më nevojë as për një Bosnje të dytë. Çelësi i gjithë suksesit të integrimit evropian të vendit tonë është pikërisht integrimi rajonal që bazohet në bashkëjetesën ndërmjet kombeve dhe kombësive të ndryshme.

Edhe Partia Demokratike ka dënuar deklaratat e zotit Xhaferri. Duke shprehur habi për këtë ndryshim të papritur të kryetarit të PDSH-së, shefi demokrat i marrëdhënieve me jashtë Besnik Mustafaj ka ndryshuar çdo ide për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Besnik Mustafaj: Ne si Parti Demokratike e Shqipërisë nuk mbështesim asnjë ide dhe asnjë veprim që çon në cenimin e integritetit territorial të Maqedonisë. Nga ana tjetër ne njohim se shqiptarët në Maqedoni ende kanë shumë të drejta të parealizuar, por shpresojmë se këto të drejta do të përmbushen nëpërmjet vënies në jetë të marrëveshjes së Ohrit./tvklan.al