Qeveria e Serbisë ka lëshuar në qarkullim linjën hekurudhore Beograd-Zveçan pa lejen e autoriteteve të Prishtinës.
Treni i parë i kësaj linje ka hyrë të dielën në mëngjes në veriun e Kosovës. Ministri i Transportit të Kosovës, Fatmir Limaj, e ka cilësuar këtë akt si shkelje të sovranitetit të shtetit, ndërkohë që i ka bërë thirrje policisë së Kosovës dhe EULEX-it që të marrin masat adekuate.
Mirëpo deri më tash misioni evropian për rend dhe ligj, EULEX, nuk është deklaruar rreth kësaj çështje.
Fatmir Limaj: “Kjo është një cenim i sovranitetit. Asnjë operator jashtë Kosovës nuk mund të futet në Kosovë pa leje të posaçme nga ministritë dhe qeveria dhe ne si ministri kemi përgatitur një letër për policinë, për përfaqësuesit e EULEX-it që janë në pjesën veriore që të ndalohet çdo hyrje e çfarëdo treni pa lejen e Ministrisë së Transportit”.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i strukturave paralele serbe, Zoran Bogavac, i cili veten e quan koordinator për nyjën hekurudhore të Fushë-Kosovës, u ka deklaruar mediave serbe se rivendosja e linjës hekurudhore është bërë në kuadër të aksionit për vendosjen e trafikut hekurudhor në relacionin Beograd-krahina jugore serbe.
Serbia nuk njeh autoritetet e Kosovës. Akti i lëshimit të linjës hekurudhore Beograd-Zveçan është sfida e radhës që i bën Serbia shtetit të Kosovës./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki