Ndryshimi i qeverive në Mal të Zi nuk ka ndryshuar objektivin e Podgoricës për ndërtimin e urës së re mbi lumin Buna që do të lidhë Ulqinin me Velipojën.
Kryeministri malazez, Miljoko Spajic ka paralajmëruar se për të çuar përpara marrëveshjen e nënshkruar nga paraardhësi i tij, Dritan Abazoviç, do të ketë një takim të afërt me Kryeministrin Edi Rama.
“Jemi duke përgatitur një takim me Kryeministrin Edi Rama, në të cilin do të diskutohet për zbatimin e projektit të urës së re mbi lumin Buna. Qeveria është plotësisht e përgatitur që projekti të përfundojë. Duhet të përmend edhe projektin e autostradës Adriatiko-Joniane, e cila do të jetë një korridor me karakter ndërkontinental, duke i dhënë Ulqinit një vend të rëndësishëm. Së shpejti do të zhvillojme një tender për projektin konceptual dhe më pas për ndërtimin e këtij korridori.”
Marrëveshja për ndërtimin e urës u nënshkrua më 27 Shkurt në Podgoricë nga ish-Kryeministri malazez, Dritan Abazoviç dhe ai shqiptar, Edi Rama pas një seance të përbashkët të dy qeverive.
Mali i Zi dhe Shqipëria, sipas marrëveshjes kanë rënë dakord të shpenzojnë rreth 20 milionë Euro për të lidhur brigjet e Bunës përmes një ure 310 metra të gjatë.
Ndërtimi i saj parashikohet të shkurtohej në disa kilometra distancën mes Ulqinit e Velipojës, nga 70 kilometra që është aktualisht.
Tv Klan