Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Qeveria ka hartuar një skenar për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë. Ministri i Financave Arben Malaj ka prezantuar përpara komisionit parlamentar të ligjeve, një sistem asistence për të përndjekurit politikë që shkon nga 1 mijë deri në 5 mijë lekë në muaj, deri në fund të jetës së tyre.

Arben Malaj: “Kemi këtë propozim konkret. Mundësinë e një kuote mujore shpërblimi, e cila përfitohet gjatë gjithë periudhës dhe ky është një risk, duke grupuar të përndjekurit politikë 1-5 vjet, 5-10 vjet, 10-15, 15-20 dhe 20-30 vjet dhe të pushkatuarit që janë grup i veçantë. Tarifa mujore, e cila fillon për 1-5 vjet një mijë lekë në muaj, për 5-10 vjet 1500 dhe vazhdon tek të pushkatuarit që është barazuar me atë që ju keni merak me statusin e familjes së dëshmorit në 5 mijë lekë. Kjo skemë në bazë të aq të dhënave sa disponojmë, mund të funksionojë nga 10-15 vjet minimalisht dhe do të thotë ajo që do paguhet nga buxheti i shtetit shkon deri në 20 milion dollarë”.

Përfaqësuesit e të përndjekurve politikë, kanë kundërshtuar këtë strategji, duke kërkuar dëmshpërblim për ditë vuajtje në burgje.

I përndjekuri: “Dëmshpërblim për ditë vuajtje dhe dëmshpërblim për punën e pa paguar. Për punën e pa paguar qeveria demokratike dha letra me vlerë, ditë vuajtje i takoi qeverisë socialiste sot të japi ditët e vuajtjeve”.

Ministri i Financave Malaj shpjegoi se ka konfuzion në lidhje me shifrat e të deklaruarve si të përndjekur politikë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, kostoja e kësaj strategjie pritet të jetë afro 200 milion lekë të reja në vit. Ndërsa në rast të referencave të shoqatave të të përndjekurve, kosto rritet trefish./tvklan.al