Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët vlerësojnë shumë gastronominë dhe kulinarinë shqiptare.

Në podkastin e radhës, Kryeministri Edi Rama kishte në fokus këtë sektor ku kishte të ftuar dy sipërmarrës bujtine, ku ju rikujtoi atyre se qeveria do të mbështesë agroturizmin me Paketën e Maleve.

“TVSH-në e kemi bërë për agroturizmin 6%, le që ju nëse jeni nën atë, s’paguani as TVSH, ne tani kemi edhe një program të ri që do ta shpallim së shpejti që do japim mbështetje financiare për këto lloj aktivitetesh. Juve me atë që keni bërë dhe me atë çfarë kam parë unë e merrni menjëherë atë mbështetjen tonë financiare. Është një mbështetje e kombinuar kredi e butë me grante”, tha Edi Rama.    

Rama foli po ashtu edhe për mundësitë e pagesave që ofron Shqipëria në disa sektorë shërbimi dhe nevojën e madhe për fuqi punëtore.

“Unë isha me disa sipërmarrës, problemi kryesor thoshin, ore nuk kemi fare probleme sa i paguajmë sepse i kemi arritur rritjen e pagave, por nuk kemi kë të punësojmë. Sanitarja, pastruesja tek unë, thoshte, merr 600 Euro në shtëpi. I merr dhe i çon në shtëpi”, tha Rama.  

Kryeministri ripërsëriti apelin për emigrantët që të kthehen të jetojnë në Shqipëri, ndërsa rikujtoi kostot e jetesës jashtë.

“Tek qiratë ne jemi vendi në Europë me pronësinë më të lartë të shtëpive, 94% ne i kemi pronësi të shtëpive dhe akoma nuk na ka ardhur ajo kriza e madhe e qirave që ka kapur tani gjithë këta të zhvilluarit, s’ka më Portugalia, Spanja, Italia në një pjesë të madhe nuk kanë më asnjë mundësi të marrin shtëpi”, tha Rama.

Klan News