Finalizohet privatizimi i 85% të aksioneve të kompanisë rafineruese ARMO. Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e radhës kontratën e blerjes së ARMO-s nga Konsorcium Anika Enterprises S.a, Refinery Associates of Texas, dhe Mercuria Energy Group.
Sali Berisha: “Ky është padyshim privatizimi më i suksesshëm në historinë e këtij vendi. Në vitin 2004 kjo kompani me të gjitha anekset dhe aksesorët e saj u ofrua gjithsej 10 milion dollarë. Pa anekse dhe aksesorët e tjerë, pa një seri pikash shpërndarjesh magazinimesh me të cilat është krijuar një ndërmarrje tjetër, u privatizua me 130 milion euro. ARMO Bis vetëm privatizimin e saj të marrim shumë më tepër se sa çfarë iu ofrua ARMO-s në tërësi 4 vjet më parë.”
Berisha ka falënderuar të gjitha faktorët që bënë të mundur finalizimin e kontratës. Por në listën e falënderimeve kryeministri për habinë e mediave ka renditur dhe policinë kriminale.
Sali Berisha: “Me një ndërhyrje precize neutralizoj në kohë veprim të papërgjegjshëm, korruptiv të ndonjë punonjësi që bashkëpunonin për sabotimin e suksesit dhe tërësisht interesa personale. Sepse ishin marrë oferta personale të mëdha. Ishte jashtëzakonisht i dobishëm ajo ndërhyrje e cila e lejoi ministrin të marrë vendimet e duhur dhe natyrisht doja ka shkuar në prokurori.”
Menjëherë pas miratimit të kontratës nga Këshilli i Ministrave dhe më pas duhet të marrë dhe votat e parlamentit, ka reaguar Konsorciumi që privatizoi kompaninë ARMO. Në një njoftim për shtyp përfaqësuesit e tre kompanive që blenë 85% të aksioneve të ARMO-s, lajmërojnë se kanë në projektet e tyre që brenda një periudhe 5-vjeçare të investojnë një shifër prej 442 milion dollarë për të sjellë produktin e dy rafinerive të Ballshit dhe Fierit në përputhje me kërkesat e tregut.
Investimi do të përfshijë rinovimin e teknologjisë, infrastrukturën teknike dhe atë profesionale. Ndërkohë që do të investohet dhe një shifër prej afro 50 milion dollarësh për uljen e ndotjes, që deri tani ka qenë një problem shqetësues për zonat ku janë të vendosura rafineritë e Ballshit dhe Fierit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka