Dhjetë deputetët i japin fund grevës së urisë të nisur 8 ditë më parë. Pasi ka mbajtur një fjalë përpara parlamentit ku u ngujua sa bashku me deputetët grupit të tij parlamentar, si dhe deputetët demokristian të Nard Ndokës dhe Petro Koçin e PS91, kreu i LSI ka lajmëruar mbylljen e grevës së urisë të cilën e cilësoi thjesht si etapën e parë të kontestimit ndaj dy partive të mëdha për kodin e vjedhjes, siç e cilësoi ai kodi e ri zgjedhor.
Meta dhe deputetët e tjerë grevistë kanë dalë nga salla e parlamentit për të folur përpara qindra protestueseve, të cilët kanë mbështetur në këto 8 ditë deputetët e ngujuar.
Duke akuzuar dy forcat më të mëdha politike se kanë arritur të manipulojnë dhe përfaqësuesit diplomatik në lidhje me kodin zgjedhor, Meta paralajmëroi protesta masive për të mbrojtur votën e lirë.
Ilir Meta: “Shumë shpejt në do ta organizojmë manifestime shumë të mëdha. Ne do të krijojmë një front shumë të gjerë për të mbrojtur votën e lirë. Ky do të jetë fronti i lirisë. Dëgjuam dy deklarata të ndryshme nga institucioni përgjegjës për zgjedhjet në gjithë botën OSBE-ODIHR. Dëgjuam se si në mëngjes ambasadori i OSBE-së në Tiranë iu referua shumë qartë rekomandimeve të OSBE-ODIHR, por dy orë më pas dëgjuat një deklaratë tjetër, që do të thotë se nuk do të ketë diplomat në Shqipëri dhe kudo në botë, që mund të mbylli këtë mynxyrë që po miratojnë sot kartonat e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, për të dhunuar zgjedhjet në Shqipëri. Të jeni të sigurt se fushata jonë nuk do të jetë vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, fushata jonë do të jetë kudo në gjithë Shqipërinë, po do të jetë kudo në gjithë Europën.”/tvklan.al