Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Këto rrugë të prishura të kryeqytetit do të riparohen brenda një muaji nga nënshkrimi i kontratës me bashkinë e Tiranës, të firmave të cilat do kryejn punimet përkundrejt fondeve të dhëna me prokurim të drejtëpërdrejtë. Me fondin e dhënë nga qeveria prej 243 milion lekë të reja do të përmiresohet rrjeti i kanalizimeve, asfaltimi dhe rregullimi i trotuareve. Do të riparohet rruga “Hoxha Tasim” me një fond prej 45 milion lekësh, rruga “Mihal Grameno” me 40 milion lekë, rruga “Idriz Dollaku” me 50 milion lekë, rruga “Vasil Shanto” me 35 milion lekë, rruga “Sami Frashëri” etj.

Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Punëve Publike dhe Prefektura e Tiranës do të mbikqyrin cilësinë dhe afatet e punimeve në këto rrugë. Në prag të sezonit veror do të përfundoj riparimi i rrugës ekzistuese Tiranë-Ndroq-Durrës dhe në saj të shpronësimit të tokave në pjesën e superstradës Vorë – Maminas do të rifillojnë punimet për përfundimin e saj.

Sot qeveria ka miratuar zonën e Tiranës që do të shpallet monument kulture. Në këtë ansambël historik përfshihen zona nga stacioni i Trenit deri tek universiteti Politeknik, sëbashku me ndërtesat nga dy anët e tij, si dhe zona midis xhamisë dhe Urës së Tabakëve. Kabineti qeveritar ka vendosur sot të shpërndahen parat për kreditorët e firmave piramidale “Global foods” me koeficent 50% dhe për kreditorët e firmës “Univers” me 40%.

Sot qeveria ka përcaktuar edhe 6 kandidatët e saj që do të votohen nga parlamenti për të zgjedhur dy anëtarë në përbërje të komisionit  të shërbimit civil. Kandidatët janë Gojar Cerga, Përparim Fuga, Sadedin Çela, Roland Përmeti, Pranvera Strakosha, dhe Sokol Shazi. Ky komision do të drejtojë reformën administrative. Qeveria ka miratuar edhe memorandume me palën italiane për parandalimin e trafikut të klandestinëve si dhe projektligjin për zonat e lira./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame