Fluksi i madh i emigrantëve, të kthyer për pushime, ka shkaktuar vonesa në sportelet e nxjerrjes së pasaportave. Me dhjetëra qytetarë mbajnë radhë ditë të tëra pranë Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe 3 në kryeqytet në pritje të plotësimit të formularit për t’u pajisur më pas me pasaportë.
“Dita e dytë, që po vij, dhe s’po mbaroj punë. Shpresoj që edhe sot të mbaroj punë, por si zor, sepse shikoje, i kam dhe 10 veta përpara që duhet të mbarojnë.”
Gazetarja: “Po pse mendoni që ka kaq shumë radhë?”
“Ka radhë për arsye se vijnë të gjithë refugjatët tani dhe punon vetëm një sportel dhe shumë gjëra të tjera pastaj që nuk shkojnë nuk e di. Formularët nuk i japin që t’i mbushim ne, por duhen mbushur brenda, për arsye sepse e di ai.”
“Duke e ditur që ka shumë njerëz, të hapet edhe një personel tjetër.”
Gazetarja: “Sa orë keni që prisni ju?”
“Që në mëngjes, ora është 12 e 30 , unë akoma s’kam mbaruar punë, sepse ka shumë popull dhe nuk arrijnë me dy policë që janë aty brenda, një njeri është vetëm.”
Ajo çka qytetarët kërkojnë është shtimi i numrit të personelit në këto sportele ku aktualisht punojnë vetëm dy veta. /tvklan.al