Vazhdojnë radhët e tejzgjatura përpara ambasadës greke. Me qindra qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit edhe sot janë sorrollatur në dyert e ambasadës greke për të marrë vizat.
“Me 27.05.2004 i kam futur, më datë 7.06.2004 kam pasur për t’i marrë. Policia shqiptare nuk na lë as në një vend.”

Gazetari: “Po reagimi nga ambasada greke?”

“Kanë dhënë urdhër, shqiptarët duhet të rrinë 70m larg ambasadës greke, tani ata s’të lënë as 80m, duhet të shkojmë 100m, shikoje, merr metrin këtu.”

“Jemi familjarisht këtu, nuk jemi kalamaj, ja, kam gruan shtatzanë, kalamajtë po këtu kanë lindur në Greqi, s’na japin përgjigje shqiptarët.”

“Unë kam dy muaj që rri vërdallë. I pres letrat që në 25 prill dhe deri sot kam harxhuar 800 mijë lek (të vjetra) që vij rrugës dhe se kur do t’i marrim nuk e dimë. Tani këtu nuk del asnjë gjë, nuk na jepet asnjë lloj përgjigje dhe kur dalin, dalin, futin dhjetë veta nga 2 mijë që janë këtu, këtu nuk ka për të mbaruar kurrë.”

“ Nuk na lejojnë që të hyjmë fare as afër ambasadës, jo që të vijmë këtej. Policia jonë nuk na lë, vjen greku nxjerr aty dy emra dhe, mirupafshin, dhe thotë nuk ka më asnjë person. Ne presim fakset tona o vëlla, na pret greku atje, nuk na bie fare asnjë gjë.”

Gazetarja: “Sa ke ti që pret?”

“Kam 15 ditë, d.m.th. që vij ditë për ditë këtu.”

Edhe pse është dita e katërt që protestohet, emigrantët nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigjeje nga përfaqësues të qeverisë shqiptare ndërkohë që ambasada greke vazhdon të qëndrojë në heshtje totale përpara interesimit të mediave shqiptare për të mësuar arsyet e tejzgjatjes së procedurave për të marrë një vizë pranë saj. Pas incidentit të djeshëm gjatë protestës së zhvilluar përpara kësaj amabsade, ku u shoqëruan për në Komisariatet e Policisë me dhjetra emigrantë, sot ishte shtuar numri i forcave të rendit në sportelet e ambasadës greke. /tvklan.al