Radovan Karaxhic, i vendos shkopinjtë ndër rrota Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.
Krimineli i luftës ka bojkotuar seancën e parë të procesit historik kundër tij me pretendimin se nuk ka patur kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen.
Mungesa e tij në sallë i ka lënë gjykatësit koreano Jugori Ogon Kuon, britaniku Hauard Morrison dhe afrikani Melville Baird para një zgjedhjeje të vështirës, sepse siç shpjegojnë juristët rregullorja nuk përfshin asnjë mënyrë për tu përballur me rrethana të tilla. Ndaj mungesa e pajustifikuar e Karaxhic është një risi për gjykatën e Hagës.
Gjykatësit i kanë dhënë Karaxhicit 24 orë të vendosë nëse do të jetë i pranishëm në seancë, përndryshe procesi do të vazhdojë edhe në mungesë të tij.
Ndërkohë, 150 myslimanë boshnjakë që i mbijetuan masakrës së Srebrenicës së 1995 kanë nisur demonstratat jashtë gjykatës së Hagës.
“Duam drejtësinë dhe të vërtetën sa jemi gjallë u shpreh Nirmela, e cila ka humbur të afërmit e saj në këtë luftë”.
Roli i Karaxhiç gjatë Luftës në Bosnje
Mbi ish presidentin e Republikës së pavarur Serbe të Bosnjë-Hercegovinës rëndojnë 11 akuza.
Ai cilësohet si arkitekti i luftës së Bosnjës gjatë viteve 1992-1995 që ka provokuar 100 mijë të vdekur dhe 2.2 milionë refugjatë.
Mbi të rëndon dhe akuza për masakrimin e 8000 personave në Srebrenicë e cilësuar kjo si tragjedia më e madhe që pas Luftës së Dytë Botërore.
Përveç gjenocidit Karaxhic akuzohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit, shkatërrim, vrasje, tortura, dhe dhunë seksuale.
Ai u arrestua në Qershorin e vitit 2008 pas trembëdhjetë vitesh në arrati. Ish-politikani 64-vjeçar, psikiatër dhe poet pretendon se ka bërë një marrëveshje për imunitet me diplomatin amerikan Riçard Holbruk, i cili e mohon kategorikisht një gjë të tillë.
Ndërkaq në Serbi duket se mendimet janë nga më të ndryshmet për sa i përket gjyqi dhe kërkimit të vazhdueshëm për Ratko Mlladiç.
Disa serbë e shohin atë si gjyq politik nga një gjykatë pro-perëndimore dhe politike, ndërsa të tjerët e shohin si rrugën më të mirë që Serbia të ecë përpara pas disa vitesh izolimi./tvklan.al