Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas deklaratës së Inspektoratit të Kontrollit të Naftës dhe Gazit, ku komunikohej se është përgjegjësi e bashkisë të kontrollojë në lidhje me rrezikun e karburanteve në kryeqytet, kryebashkiaku ka reaguar, duke publikuar bazën ligjore që ngarkon këtë inspektorat dhe struktura të tjera të shtetit për të kryer këtë funksion.

Sipas kryetarit të bashkisë ligji shpjegon masat dhe sanksionet që mund të marrë inspektorati në fjalë në rast se nuk plotësohen kushtet teknike.  

Edi Rama: “Ashtu si gjithmonë, këta inspektorë dhe këto inspektorate, që duke mos bërë punën e tyre kujtojnë se e dinë punën e të tjerëve ia fusin edhe njëherë kot kur thonë, se është përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës, që ajo magazina pranë karburantit që rrezikoi të kthehej në bombë përpara dy ditësh, ishte me bojëra dhe me lëndë djegëse, pasi janë degët e tatimeve organi i vetëm që pajis me certifikatë të ushtrimit të veprimtarisë, subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar në qytetet e Shqipërisë dhe jo bashkitë. Natyrisht, në gjithë këtë kornizë ligjore, ka një absurditet, sikundër është e mbushur me absurditete e gjithë korniza ligjore ku vepron shteti shqiptar, një shtet që është një konglomerat strukturash dhe mekanizmash të fosilizuara të kohës së vjetër”.

Rama ka sqaruar, se bashkia ka të drejtë të japë vetëm autorizim për tregtim të këtyre subjekteve, por kjo nuk do të thotë leje ndërtimi e një pike karburanti dhe as kontroll përkatës. Kryebashkiaku ka ripërsëritur, se bashkisë duhet t’i jepet e drejta për t’i dhënë leje për ushtrim aktiviteti, si e vetmja mënyrë për të pajisur me leje në funksion të standardeve urbane./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj