Një ditë pasi grupi parlamentar socialist u fut në parlament për të bërë të vlefshme mandatet e fituara më 28 Shkurt dhe më pas u largua për të vijuar me bojkotin e nisur 6 muaj më parë, Edi Rama i bën apel ndërkombëtarëve të mos lejojnë, sipas tij, rendimin e krizës politike.
Në takimin e përjavshëm me mediat, kryesocialisti ka deklaruar se është në pritje të një përgjigjeje nga maxhoranca, e cila ka në dorë, sipas Ramës, kthimin e opozitës në sallën e parlamentit ose vijimin e protestave popullore.
Edi Rama: “Ne jemi në pritje që të zgjidhen çështjet në parlament, nuk jemi … Duhet të flasim duhet të ndodhë brenda 6 ditësh dhe nga ana tjetër të jeni absolutisht të bindur që vala e protestave që do të ngrihen në Shqipëri në rast se kjo lojë për të zvarritur opozitën do të vazhdojë do të jetë vala më e madhe e protestave që Shqipëria ka parë për votën e lirë dhe do të jetë një valë protestash që nuk do të ulet pa garantuar votën e lirë.”
Mysafiri austriak i Ramës, nënkryetari i grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, gjatë një prononcimi të përbashkët me Ramën në selinë rozë, propozoi vetëm 3 ditë më parë që Këshilli i Evropës t’i kërkojë Komisionit të Venecias të interpretonte kërkesën e PS për hapjen e kutive. Pavarësisht kësaj, Rama është shprehur indiferent ndaj këtij propozimi.
Edi Rama: “Këshilli i Evropës mund ta pyesë komisionin e Venecias në rast se do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet ne nuk kemi nevojë as ta pyesim komisionin e Venecias dhe as presim nga komisioni i Venecias të na zgjidhë ne problemet.”
Zgjidhjen e ngërçit politik, zoti Rama e sheh ashtu si Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, tek kutia e Ruzhdive, hapja e së cilës, ka përsëritur Rama, mund të faktojë se socialistët kanë të drejtë që këmbëngulin për maskaradën elektorale të 28 Qershorit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka