Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin Opinion të Blendi Fevziut tha se takimin e parë e zhvilloi me shqiptarët e Greqisë jo për të provokuar Athinën zyrtare dhe as për të ndërhyrë në çështjen e politikës së brendshme në shtetin fqinj.
“Pse provokim, kjo është gjëja më e natyrshme. Populli shqiptar e grek kanë qenë siç e themi në historinë tonë B dhe B ngjitur, nuk ka pasur kurrë problem”.
Teksa hedh poshtë zërat mediatike se mijëra shqiptarë erdhën Shqipëria në Athinë, Rama sqaroi dhe arsyet se pse deklaroi gjatë fjalës së tij se shqiptarët nuk janë shërbëtorët e Greqisë.
“Po merrja nga puna për ta shërbëtorët e tyre që t’i mbaja me muhabet. Shqiptarët janë sot të barabartë në këtë vend me të gjitha problemet”.
Personalisht marrëdhëniet me Kryeministrin grek Mitsotakis i cilëson shumë të mira. Por nuk e pranon se ka përplasje institucionale për çështjen Beleri.
Blendi Fevziu: Si janë raportet me qeverinë greke?
Kryeministri Rama: E vërteta është se raportet e mia me Mitsotakis janë shumë të mira.
Blendi Fevziu: Kanë qenë?
Kryeministri Rama: Janë shumë të mira. Në aspektin personal janë shumë të mira. Duket se ka një ngërç dhe dihet ka një ngërç për aspektin institucional. Mënyra se si politika e ka lexuar atë çështje, si e ka inflamuar këtë në sy të opinionit publik për konsum të brendshëm, e bën të vetëdijshme edhe atë pastaj që reflektohet në marrëdhëniet mes dy qeverive. Ne kemi pasur një nënshtresë në këto marrëdhënie kur gjërat vazhduan dhe funksionuan normalisht.
Kryeministri ka dhe këtë koment për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për te cilin qeveria greke po mban qëndrim karshi asaj shqiptare.
“Nuk ka një çështje Beleri për ne, nuk ekziston. Nuk është çështje për ne, është çështje që pala greke e konsideron çështje”.
Por cilat janë çështjet e përbashkëta mes Greqisë dhe Shqipërisë?
“Çështja e ligjit të luftës është një çështje që ekziston, çështja e përcaktimit të kufijve detarë, çështja e përfundimit të procesit të pranimit të shqiptarëve me dokumentet e nevojshme dhe në këtë çështje është bërë një përparim i rëndësishëm dhe kam besim që së shpejti shqiptarët e Greqisë do marrin atë që presin. Dhe në këtë kuptim një çështje e mbetur pezull është një çështje e përbashkët. Çështje pastaj që mund t’i krijojmë ne, Shqipëria ose Greqia janë çështje që pala tjetër nuk është e detyruar të ndihet në nevojë për të dhënë një përgjigje”.
Ndërsa bëri të ditur se me qeverinë greke, pavarësisht perplasjeve, janë në bisedime jo vetëm për njohjen e pensioneve.
“Marrëdhëniet me pensionet është në proces. Asnjëherë grekët nuk kanë pranuar që të ulen në tavolinë për të diskutuar për pensionet. Tani janë ulur në tavolinë. Sa i përket dokumenteve, do të materializohet një hap shumë i madh i lejeve të qëndrimit, e shtetësisë si e drejtë natyrale”.
Kryeministri beson se pas zgjedhjeve europiane të 9 Majit, me qeverinë greke do të ulet të bisedojnë për zgjidhjen e të gjithë këtyre çështjeve të përbashkëta. Takimet e shqiptarëve nëpër Evropë, Rama thotë se po i zhvillon jo vetëm si Kryeministër, por edhe kryetar i PS-së, duke shtuar se Shqipëria gjendet më pranë anëtarësimit në BE.
“Në vitin 2030 Shqipëria do të jetë gati, kjo është gjëja që do të thotë që do të plotësojmë të gjitha ato reforma, jo për ata, por do t’i plotësojmë për vete dhe pastaj është çështje vendimmarrjeje, por fakti që Shqipëria do të jetë gati nuk do të thotë që është gati që të marrë diplomën atje por është gati që të sillet si shtet brenda vetes, si shtet i Bashkimit Europian”.
Tv Klan