Seanca maratonë e projektbuxhetit për vitin 2025 nisi me tensione që në nisje të saj, ku deputetët e opozitës tentuan të pamundësojnë fjalën e kryeministrit Rama.

“Ça është kjo punë, rri aty për çfarë”, shkroi Rama.

Pavarësisht thirrjeve të kreut të qeverisë dhe kryeparlamentares Spiropali u deshën 5 minuta pushim që gjithçka t’i rikthehej normalitetit.

“5 minuta pushim”, tha Spiropali.

Rinisjen e seancës Kryeministri e shfrytëzoi për të bërë një propozim, me qëllim dhënien fund të kaosit në Kuvend.

“Spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi, duhen sanksionuar me kalim në votim”, tha Rama.

Fondi prej 100 milion eurosh për bonusin që do të marrin 511 mijë pensionistë në fundvit ishte lajmi që kryeministri ndau për këtë kategori, duke shtuar se do të pasohet nga një tjetër masë financiare në pranverë.

“Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm, 15 mijë lekë, 150 Euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do marrin dyfishin e bonusit të dy viteve të mëparshme, në masën 10 mijë lekë, ose 100 Euro. Në ditët para dhjetorit do të krijojmë pranë Bankës së shqipërisë fondin e një bonusi të dytë dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve”, tha Rama.

Jo vetëm pensionet, por edhe rritja e pagave të administratës ishte një tjetër premtim i mbajtur sipas Ramës, ku krahasimin e bëri me paraardhësit e tij në pushtet.

“E kemi nisur rrugën tonë me një fond pagash në sektorin publik afro 500 milionë Euro dhe në buxhetin që do të miratojmë të 2025, fondi i pagave është më shumë se sa dyfishi, 1.3 miliardë euro”, tha kryeministri.

Rritja dy dhe tre shifrore e shifrave të ekonomisë, si dhe investimet në infrastrukturë ishin argumenti në fjalimin e tij përballë kundërshtarëve opozitarë.

“E kemi rritur ekonominë tre fish në këtë dekadë. Borxhi publik ishte mbi 70% më i larti dhe më i rrezikshmi në rajon. Por e kemi ulur borxhin me afro 15 pikë përqindje. Ndër më të ulëtit në rajon. 40 miliardë ishte borxhi i asaj qeverie ndaj kompanive të ndërtimit dhe shërbimeve. Ishin rrugë të lëna rrugëve. U desh të rimerren dhe ndërtohen në pjesën më të madhe”.

Vetes dhe partisë që drejton i njohu meritën për zhvillimin ekonomik që tha se ka arritur vendi, teksa ripërsërit qëllimin final.

“Ne po e ngjisim Shqipërinë në majën e 2030, aty ku gjendet oborri i familjes së bashkuar europiane”, tha Rama.

I bindur në fitoren e katërt radhazi në zgjedhjet e 2025-ës, opozitës sërish i tregoi fundin që e pret.

“Keq dolët këtë herë, më keq do dilni herës tjetër, por pranverën e ardhshme do të japin me vendimin e tyre një gjykim që do të jetë më i miri historik për PS dhe më i merituari historik për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet më kurrë”, tha Rama.  

Pas fjalës për projektbuxhetin e vitit 2025, kryeministri Rama, la sallën e seancës plenare, ç’ka shkaktoi reagimin e opozitës.

Tv Klan