Disa orë para se të dëshmojë para Komisionit Hetimor Parlamentar, Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale në lidhje me inceneratorët.
Rama thotë se gangrenat e fushave me plehra në Elbasan, Fier, Durrës dhe Tiranë janë shëruar përfundimisht përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve.
“Mirëmëngjes, dhe me gangrenat e fushëkodërplehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës, të cilat i shëruam përfundimisht, përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama do të dalë në orën 12:00 para Komisionit Hetimor, ndërsa në fund nuk mohon padurimin për të dëshmuar.
“Mezi po pres”, shkruan Rama.
Një ditë më parë, Rama ftoi qytetarët që ta ndjekin dëshminë e tij.
“Mua më vjen shumë mirë që përtej gjithë problematikës së kësaj që po ndodh në Kuvend në atë komisionin, të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe duan të shikojnë që e vërteta është diçka krejt tjetër. Po s’po flas më gjatë për këtë se mezi po pres të shkoj nesër, kështu që po s’patët ndonjë punë më të mirë për të bërë, mos e humbni nesër”, u shpreh Rama gjatë një takimi në Durrës me qytetarët për Këshillimin Kombëtar. /tvklan.al