Rama: Përpara javës së tretë të Janarit vijnë dozat e para
Ambientet ku do të nisë fushata e vaksinimit janë gati në stadiumin ‘Air Albania’.
Ministria e Shëndetësisë lajmëron se dozat e para do të mund të jenë në Shqipëri edhe përpara javës së tretë të Janarit kur është parashikuar të mbërrijë sasia e parë sipas marrëveshjes se Pfizer.
Vaksinat kërkojnë kushtet specifike në temperatura shumë të ulta nën zero për t’u trasportuar dhe më pas për t’u ruajtur.
Por ministrja Manastirliu që shoqëronte Kryeministrin në ambientet ku do të kryhet vaksinimi masiv, garanton se është gati dhe infrastruktura e nevojshme për të mbajtur afro 30 mijë doza në kushtet e kërkuara.
Në proces është dhe trajnimi i stafit që do të kryejë vaksinimin që do të nisë nga bluzat e bardha dhe uniformat blu.
Marrëveshja e arritur nga qeveria shqiptare me kompaninë amerikane Pfizer parashikon sigurimin e 500 mijë dozave të vaksinës si fillim. Po ashtu, vetë Kryeministri ka bërë të ditur se janë dhe 2 shtete europiane që kanë ofruar 9 mijë doza vaksinash që do të mbërrijnë brenda disa ditësh.
Tv Klan