“Partnerët strategjikë në shënjestrën e mjeranëve të çmendur”
Paraditen e të hënës Kryeministri Rama do të bëjë publike paketën speciale kundër krimit të organizuar dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve që bashkëpunojnë me të për t’u pasuruar, duke qenë të vetëdijshëm sipas tij që nuk mund t’i shpëtojnë filtrit të komisioneve të vettingut. Përmes një postimi një rrjetet sociale Kryeministri ka lajmëruar se paketa ligjore do të quhet Paketa Speciale AntiKÇK dhe për hartimin e saj është punuar dhe me partnerët ndërkombëtarë. E këtu ai shigjeton Presidentin e Republikës, i cili javën që lamë pas nisi një betejë të ashpër publike me disa seli diplomatike të huaja në Tiranë.
“Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias dhe krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit. Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri, se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres dhe drejtës. Pa mbështetjen e SHBA/BE dhe ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri,s’do kishte nisur dot kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do të ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do të bëhej dot pa ndihmën e tyre”.
Përmes zëdhënësit të tij, i cili me postime të herë pas hershme ka shprehur këto kohë qëndrimet e kreut te shtetit pas situatës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, institucioni i drejtuar nga Ilir Meta iu përgjigj Kryeministrit se partnerët e tij strategjikë nuk janë SHBA dhe BE, por “Xibraka dhe Kolumbia”.
Tv Klan