“Nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri që PS nuk e fiton”

Fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste, për liderin e socialistëve, Edi Rama duhet të reflektojë edhe vlerësimin e njerëzve të duhur në këtë parti.

“Nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri që PS nuk e fiton dot. Nuk ka. Nuk ekziston asnjë. Cilësia e fitores do të thotë që ne të rrisim kapitalin njerëzor të PS-së, që ta reflektojë hapjen dhe të reflektojë edhe nevojën që të vlerësohen njerëzit e duhur.”

Në takimin e zhvilluar në dy organizatat socialiste të kryeqytetit të Njësisë 17 dhe 11, Rama tha se PS-ja ka përgjegjësinë të garantojë progresin e vendit.

“PS duhet të jetë në gjendje që ta garantojë progresin në ekonomi, progresin në drejtësi dhe progresin në pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë duke e bërë të pakthyeshëm”.

Për kryesocialistin, Shqipërisë i është hapur një portë e re sot dhe ajo lidhet me zhvillimin e vrullshëm të turizmit.

“Ajo që ndodh me prurjet e vizitorëve në Shqipëri është vetëm një shembull i prekshëm i këtij fakti, që ne në Janar dhe në Shkurt të kemi një rritje si rritja që kemi pasur këtë Janar dhe Shkurt të turizmit është shumë domethënëse për faktin që është i hapur një portë e re Shqipërisë. Dhe ky moment lidhet shumë me ne për sa kohë ne kemi përgjegjësinë që ta udhëheqim këtë vend”.

Socialistët kanë nisur fushatën e anëtarësimeve në parti, sipas vendimit të marrë nga Asambleja e PS-së. Gjithashtu, nga 15 Marsi deri më 15 Prill do të mbahen dhe zgjedhjet për kryetarët e degëve në të gjithë Shqipërinë.

Tv Klan